Udhëheqësi ukrainas Vladimir Zelensky, si dhe qeveria gjermane, thuhet se janë “të zhgënjyer” që Kina ka zgjedhur të mos marrë pjesë në konferencën që do organizohet në Zvicër, raportoi të martën gazeta Der Spiegel. Berlini kishte lobuar më parë në Pekin për të marrë pjesë në këtë ngjarje.
Konferenca e sponsorizuar nga Kievi do zhvillohet gjatë fundjavës së ardhshme në Burgenstock Resort në Zvicër dhe do t’i kushtohet diskutimeve rreth “formulës së paqes” dhjetë hapash të Zelenskyt për Ukrainën, e cila, ndër të tjera, kërkon tërheqjen e plotë të Rusisë nga territoret që ka pushtuar, dëmshpërblimet e luftës dhe një përballje me gjykatën ndërkombëtare për udhëheqjen ruse.
Më shumë se 160 delegacione, duke përfshirë ato nga G7, G20 dhe BRICS janë ftuar në ngjarjen e organizuar nga Zvicra. Moska e ka quajtur planin e Zelenskyt të papranueshëm ndërsa e ka përshkruar konferencën “absurde” si “plotësisht pa perspektivë”.
Në fund të muajit të kaluar, Kina konfirmoi gjithashtu se nuk do të merrte pjesë në samit, me ministrin e saj të Jashtëm Wang Yi që argumentoi se një takimi të tillë i mungojnë “tre elementë të rëndësishëm” – njohja e ngjarjes nga Moska dhe Kievi, pjesëmarrja e barabartë e të gjitha palëve dhe një diskutim i drejtë i të gjitha propozimeve për paqe.
Në raportin e saj, Der Spiegel, duke cituar një zyrtar të lartë qeveritar në Berlin, deklaroi se vendimi i Pekinit për të anashkaluar ngjarjen u interpretua nga Zelensky dhe Gjermania si “e çuditshme dhe jomiqësore”.