Vendosni fjalën kyçe....

Apeli lë në fuqi sekuestron për pasuritë e ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistrit


Pasuria me vlerë 3.1 milion euro e Oltion Bistrit, mes të cilave 10 apartamente, 22 dyqane, e një vilë luksoze duhet të qëndrojnë të sekuestruara.

Ky ishte vendimi i Apelit të Posaçëm ndaj ish-drejtorit të operacionales i arrestuar në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’. Po ashtu është sekuestruar një truall me sipërfaqe 200 m2 në rrugën e ‘Kosovarëve’ në Tiranë, garazh me sipërfaqe 87.8 m2 në Selitë dhe një ‘Range Rover Sport’, vit prodhimi 2012.

Më 14 maj 2024 me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur sekuestrimin e 36 pasurive. SPAK njoftoi se ka indicie dhe dyshime se pasuritë janë vënë nga aktiviteti kriminal i Bistrit.

Në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’, zbërthimi i aplikacioneve Encro Chat dhe SKY ECC zbuloi rrjetin e anëtarëve të grupit kriminal, ku përfshihej edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-Shefi i operacionales Oltion Bistri. Ky i fundit akuzohet për ‘korrupsion pasiv’, ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ dhe prej rreth një viti ndodhet prapa hekurave.

Komunikimet në aplikacionet e çkoduara, treguan se Bistri shërbente si informatori i çfarë ndodhte në godinën e Policisë së Shtetit, duke ia dërguar Pëllumb Gjokës. Biznesmeni Gjoka kishte një kazino, që nuk lejohej nga ligji dhe për të cilën, sipas përgjimeve në dosjen e SPAK Bistri jepte informacion në raste të operacioneve policore, që mos të goditej kazinoja e Gjokës.

Hetimet për ‘Metamorfozën’ u mbyllën më 4 maj dhe SPAK dërgoi për gjykim 7 të pandehurit, përfshirë biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-prokurorin Xhevahir Lita, ish-kreun e Operacionales Oltion Bistri, Behar Bajrin, si dhe 3 të pandehur të tjerë.

 

Pasuritë e sekuestruara të Oltion Bistrit

– 18 Njësi (dyqane) + 1 Apartament, të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe totale prej 400 m2, kati i 6 (gjashtë), ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 200 m2, Zona Kadastrale 8270, ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 66.5 m2,  ndodhur në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me nr. 18/C, kati i shtatë teknik/8 ndërtim, me sipërfaqe 73.16 m2, i ndodhur në godinën 1, në “Kompleksin Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Njësi (dyqan) me sipërfaqe 125 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 138.3 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;

– Garazh me sipërfaqe 87.8 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;

– Apartamenti me sipërfaqe 100.6 m2, në katin e dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Njësi (dyqan) me sipërfaqe ndërtimore 72 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Vila A14, në rezidencën “Green Valley”, Tiranë;

–  Apartament me nr. 3, kati i katërt, me sipërfaqe 58.5 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;

– Apartament me nr. 9, kati i dytë, me sipërfaqe 58.9 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;

– Pasuri e llojit njësi (dyqan), me sipërfaqe ndërtimore 110 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe totale 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe totale 95 m2, në katin e parë,  ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Automjet i markës “Land Rover” model “Range Rover Sport”, vit prodhimi 2012;

Në total janë sekuestruar

22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi)

10 – Apartamente

1 – Vilë

1 – Truall

1 – Garazh

1 – Automjet