Kur kryeministrja Giorgia Meloni e Italisë të mbledhë të enjten krerët e G7-ës në një hotel turistik luksoz me spamje nga deti Adriatik, ajo mund të falet nëse mendon se të ftuarit e saj po kërkojnë një strehë.
Me përjashtim të vetë zonjës Meloni, të gjithë krerët e tjerë po mbërrijnë në takim të rrethuar, të luftuar ose të rrezikuar – një konvergjencë aspak e hjshme që flet për dridhjet politike që po tundin gjithë Perëndimin. Takimi gjithashtu nuk premton aspak mirë për sa u përket rezultateve të një mbledhjeje që tashmë është përballur me sfida shqetësuese, duke filluar nga lufta e Rusisë në Ukrainë deri te konkurrenca ekonomike globale e Kinës.
Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak, është tre javë larg zgjedhjeve në të cilat Partia e tij Konservatore pritet të rrëzohet nga pushteti. Presidenti francez Emmanuel Macron ka shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi partia e tij pësoi humbje të mëdha ndaj së djathtës në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Kancelari Olaf Scholz i Gjermanisë dhe Partia e tij SocialDemokratike u dërrmuan gjithashtu në zgjedhjet në fjalë, ndërsa Presidenti Biden është në luftë me paraardhësin e tij, ish-presidentin Donald J. Trump. Edhe kryeministri Fumio Kishida i Japonisë përballet me trazira në rritje brenda Partisë së tij Liberal Demokratike dhe mund të humbasë pushtetin këtë vjeshtë.
Kryeministri Justin Trudeau i Kanadasë, i cili përballet me publikun e tij të zhgënjyer pas më shumë se tetë vjetësh në detyrë, foli edhe për kolegët e tij kur u ankua për rritjen e populizmit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ne kemi parë në mbarë botën një rritje të forcave populiste të krahut të djathtë pothuajse në çdo demokraci,” tha Trudeau të hënën.
“Është shqetësuese të shohësh partitë politike që zgjedhin të instrumentalizojnë zemërimin, frikën, ndarjen, ankthin.”
Ankthi për rolin e G7-ës nuk është asgjë e re: Këto shtatë vende përbëjnë një pjesë në rënie të prodhimit të brendsshëm bruto global. Krerët e Kinës dhe Rusisë mungojnë në mënyrë të dukshme. (Rusia u pezullua nga grupi në vitin 2014 pasi aneksoi Krimenë dhe u largua përgjithmonë në vitin 2017)
Në një gjest për botën në ndryshim, zonja Meloni ka ftuar një Listë A të krerëve joperëndimorë në Itali: Kryeministrin Narendra Modi të Indisë, Presidentin Luiz Inácio Lula da Silva të Brazilit, Presidentin Rexhep Tajip Erdogan të Turqisë dhe presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Princi Mohammed bin Zayed. Ajo ftoi gjithashtu Presidentin Volodymyr Zelensky të Ukrainës dhe Papa Françeskun.
Disa nga këta udhëheqës vijnë në taki me barrën e tyre. Modi sapo u zgjodh për një mandat të tretë, por shumica parlamentare e partisë së tij u zhduk. Erdogan pësoi humbje në zgjedhjet lokale. Ndërsa këta krerë nuk do marrin pjesë në seancat kryesore, disa do mbajnë takime të veçanta me presidentin amerikan Biden dhe krerë të tjerë, duke shërbyer si një kujtesë se si dinamikat e pushtetit në botë po ndryshojnë.
Politika e brendshme do ndërhyjë në biznesin e G7-ës në të gjitha format e mundshme, të mëdha a të vogla qofshin, sipas analistëve dhe diplomatëve. Me Britaninë pranë një votimi që ka të ngjarë të sjellë një qeveri të re, Sunak nuk pritet të nënshkruajë angazhimet kryesore për tregtinë me Kinën ose sanksionet kundër Rusisë. Në vend të kësaj, pjesëmarrja e tij në samit mund të përfundojë si një turne lamtumire.
“Si mund të angazhoheni për ndonjë gjë nëse do keni një ndryshim në qeveri?” tha Agathe Demarais, një bashkëpunëtore e rëndësishme politike dhe drejtoreshë e nismës së gjeoekonomisë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Londër.
“Prisni dhe shikoni” ndoshta do të jetë fjala kyçe e këtij takimi.”
Ndërsa Biden nuk do përballet me votuesit deri në nëntor, analistët thanë se ai gjithashtu mund të jetë i shqetësuar nga betejat e tij zgjedhore në shtëpi, si dhe nga çështjet personale, duke përfshirë dënimin e djalit të tij, Hunter, për tre akuza penale përfshirë një aplikim federal për armë zjarri në 2018.
Në një shkallë më të vogël, politika e brendshme mund të kufizojë gjithashtu dyshen Scholz e Macron. Të dy janë në pozita më të cenueshme pas përparimeve të bëra nga partitë e djathta në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
Një rritje e populizmit mund të ndajë krerët perëndimorë në disa çështje dhe t’u japë përparësi rivalëve të tyre më të mëdhenj në çështjet e tjera. Partitë e djathta priren të jenë më armiqësore ndaj tregtisë së lirë, por më miqësore me Kinën dhe më pak mbështetëse ndaj sanksioneve më të ashpra ndaj presidentit Vladimir Putin të Rusisë. Të gjitha këto janë çështje që do të kenë peshë të madhe kur udhëheqësit të ulen të enjten në qytetin bregdetar të Fasanos.
Administrata Biden e ka shtyrë Evropën të vendosë tarifa më të larta për eksportet e Kinës të automjeteve elektrike, baterive dhe gjysmëpërçuesve, siç bëri në maj. Ajo po përpiqet të mbledhë mbështetje për sanksionet dytësore ndaj Rusisë, një përshkallëzim i madh presioni që do prekte kompanitë që bëjnë biznes atje.
Por Demarais tha: “Evropianët e dinë se Trump mund të zhbëjë çdo gjë që premton Biden.”
Dhe duke pasur parasysh pozicionin e tyre të dobësuar, ajo tha: “Nëse ata nënshkruajnë një marrëveshje, ekziston gjithashtu rreziku që ata të mos e arrijnë miratimin parlamentar për të.”
Macron, pasi humbi në votën evropiane ndaj partisë së djathtë të Marine Le Pen, shpërndau Asamblenë Kombëtare Franceze dhe shpalli zgjedhje të parakohshme që do përfundojnë më 7 korrik. Megjithëse ai do jetë president edhe për tre vjet të tjerë, pavarësisht nga rezultati, ai është dobësuar dhe mund të detyrohet të ndajë pushtetin me një kryeministër opozitar.
Analistët politikë e kanë krahasuar hedhjen e zareve të Macron me vendimin fatal të David Cameron, ish-kryeministri britanik që tani është Sekretar i Jashtëm, për të thirrur një referendum për Brexit në 2016.
Në Gjermani, Social Demokratët e Scholz përfunduan të tretët në zgjedhjet evropiane, pas opozitës Kristian Demokrate dhe Alternativës për Gjermaninë. Partnerët e koalicionit të Scholz, të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë, gjithashtu dolën keq.
Ndërsa Scholz nuk ka gjasa të thërrasë zgjedhje të reja si Macron, ai është nën presion për ta bërë këtë. Ai dhe qeveria e tij janë thellësisht jopopullore, grindjet e tyre të brendshme janë një recetë që premton paralizë. Mbështetja gjermane shihet si e rëndësishme për tarifat kundër Kinës, një konkurrent i madh në automjetet elektrike, si dhe sanksionet dytësore kundër Rusisë.
Edhe para trazirave politike, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të binin dakord se çfarë të bënin me gati 300 miliardë dollarë në rezervat valutore ruse që janë ngrirë nga bankat perëndimore. Shtëpia e Bardhë fillimisht donte të konfiskonte të gjithë shumën për ta përdorur në rindërtimin e Ukrainës. Por vendet evropiane u larguan, nga frika se një veprim i tillë do destabilizonte sistemin financiar global.
Tani, vendet e G7 po peshojnë një plan për të amortizuar asetet e ngrira për t’i siguruar Ukrainës 50 miliardë dollarë të shpejta dhe më pas të përdorin fitimin dhe interesin e fituar për të shlyer borxhin me kalimin e kohës. Kjo do të zëvendësonte një plan të BE-së për të përdorur vetëm fitimet dhe interesin për Ukrainën. Por mbeten mosmarrëveshje se si do garantohej një borxh i tillë nëse asetet kthehen ose normat e interesit bien.
Diplomatët vlerësuan përpjekjen e Melonit për të kontaktuar krerët e rinj, megjithëse Peter Ricketts, një ish-këshilltar për sigurinë kombëtare të Britanisë, tha: “Kjo tradhton një ndjenjë të justifikuar se G7 është një grupim i vjetër tani.”
Fituesja më e qartë në gjithë këtë mund të jetë vetë Meloni. Ndonëse edhe ajo erdhi në pushtet në krye të një partie të djathtë, ajo ka kultivuar një përfytyrim si dikush me të cilin mund të punojnë krerët të Evropës. Për tre ditë, ajo do ketë gjithë vëmendjen në Borgo Egnazia, një vendpushim i parapëlqyer nga të famshëm si ylli i popit Justin Timberlake, i cili u martua me aktoren Jessica Biel atje në vitin 2012.
Me gjithë grindjet mbi tregtinë me Kinën apo sanksionet ruse, diplomatët thanë se krerët ishin të unifikuar për dy çështjet kryesore të ditës: mbështetjen për Ukrainën dhe për përpjekjet e presidentit amerikan Biden për të ndërmjetësuar një armëpushim në luftën Izrael-Gaza.
“Nga këndvështrimi i krerëve,” tha Ricketts, “kjo është ndoshta një shmangie e mirëpritur nga një mjedis i vështirë i brendshëm.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani