Kryeministri armen, Nikol Pashinyan tha të mërkurën se një traktat paqeje me Azerbajxhanin ishte afër përfundimit, por se vendi i tij nuk do pranonte kërkesat e Bakut për ndryshimin e Kushtetutës.
Pasi Pashinyan bëri komentet, shpërthyen përleshjet midis policisë dhe demonstruesve, e fundit në një seri protestash që denonconin politikat e tij, duke përfshirë kthimin e fshatrave të shkatërruara te Azerbajxhani dhe duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Raportet dhe pamjet video nga Jerevani treguan policinë duke gjuajtur granata trullosëse ndaj protestuesve të grumbulluar rreth parlamentit. Protestuesit më pas kaluan në ndërtesën e qeverisë dhe më vonë u shpërndanë.
Zyrtarët e policisë, të cituar nga agjencitë ruse të lajmeve, thanë se 17 oficerë u plagosën. Ministria e Brendshme tha se 79 civilë u plagosën dhe 98 u arrestuan.
Azatutyun, shërbimi armen i Radio Liberty, i financuar nga SHBA, tha se udhëheqësi i protestës, Kryepeshkopi Bagrat Galstanyan, i tha tubimit se kishte kërkuar të takohej me Pashinyan për të diskutuar “kushtet e largimit të tij paqësor”.
Faqja armene e lajmeve CivilNet citoi Pashinyan të thoshte se teksti i traktatit të propozuar me Azerbajxhanin ishte “mjaft i pjekur” dhe se ai mund të nënshkruhet pas “rregullimeve”.