Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërimi i fortë i Macron: Po fitoi e djathta do ketë kaos


Duke e deklaruar veten një “optimist të pandreqshëm”, presidenti francez Emmanuel Macron u bëri thirrje të mërkurën të gjithë francezëve “që janë kundër ekstremeve” të votojnë për partitë e qendrës në zgjedhjet e parakohshme dhe kështu të shpëtojnë Republikën nga fanatizmi i së djathtës ekstreme dhe antisemitizmi i ekstremit të majtë.

Në një konferencë shtypi dyorëshe, një e treta e së cilës e përbërë nga fjalim i presidentit, Macron pikturoi një pamje të zymtë të kaosit ekonomik, paligjshmërisë dhe një shoqërie ku “qytetarët e vërtetë francezë do kishin shumë më pak peshë” nëse partia e Marine Le Pen vjen në pushtet.

“Unë nuk kam ndërmend t’i dorëzoj çelësat e pushtetit të djathtës ekstreme në vitin 2027,” u zotua Macron, i cili ka mandat të kufizuar, duke nënkuptuar zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Megjithatë, duke shpërndarë Asamblenë Kombëtare dhe duke thirrur zgjedhjet parlamentare duke filluar 18 ditë nga tani, Macron ka hapur mundësinë që atij mund t’i duhet të dorëzojë disa prej atyre çelësave në vitin 2024.

Bixhozi i tij që Tubimi Kombëtar i Le Pen, që fitoi më shumë se dyfishin e votavetë  aleancës centriste të Macron në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të dielën, nuk do përsërisë suksesin në një votim të brendshëm është një rezultat me rrezik të lartë.

Nëse Tubimi Kombëtar del si partia më e madhe në zgjedhjet e 30 qershorit dhe 7 korrikut, siç tregojnë sondazhet tani për tani, Macron mund të jetë i detyruar të emërojë një kryeministër nga partia e Le Pen, ndoshta presidentin e saj Jordan Bardella, 28 vjeç.

I pyetur pse kishte luajtur bixhoz, Macron tha se ishte thelbësore të kishte një “sqarim”, një fjalë të cilës ai iu kthye disa herë. Do kishte treguar mungesë respekti për vullnetin e popullit, këmbënguli ai, nëse do të kishte anashkaluar faktin se “50 për qind e francezëve votuan për ekstremet” në zgjedhjet evropiane, një referencë për votat për të djathtën dhe të majtën ekstreme.

“Do kishit thënë, ‘Ky djalë e ka humbur!’”, tha ai.

Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që shumë francezë kanë thënë gjatë ditëve të fundit. Edhe anëtarët e partisë së tij kanë shprehur shqetësim për një kryetar që mori një vendim që nuk ishte diktuar nga asnjë kërkesë kushtetuese dhe që e ka futur vendin në trazira në prag të Lojërave Olimpike, të cilat fillojnë në Paris muajin e ardhshëm.

Macron tha se nuk do largohej në asnjë rrethanë, nuk do debatonte me Le Pen dhe nuk do të bënte vetë fushatë për zgjedhjet, një detyrë që ai tha se do drejtohej nga kryeministri Gabriel Attal.

I pyetur vijimësisht nëse do emëronte Bardellan si kryeministër nëse Tubimi Kombëtar do triumfonte, Macron kundërshtoi të përfshihej në spekulime “fiktive” dhe u strehua në një optimizëm sfidues që tani për tani duket më shumë dëshirë sesa i mbështetur në fakte.

“Ne nuk jemi perfektë,” tha Macron, edhe pse ai iu shmang përgjegjësisë personale për humbjen e rëndë në zgjedhjet evropiane duke thënë se lëvizjet nacionaliste të ekstremit të djathtë po rriteshin në shumë vende të Evropës.

Akuza e presidentit për antisemitizëm dukej e sigurt se do zemëronte partinë e majtë france “Unboëed” të themeluar nga Jean-Luc Mélenchon, e cila ka qenë e zjarrtë në mbështetjen e saj ndaj palestinezëve dhe e ashpër në kritikat e saj ndaj Izraelit që nga fillimi i luftës në Gaza.

Mélenchon ka akuzuar ish-kryeministren, Élisabeth Borne, vajzën e një të mbijetuari të Holokaustit, për paraqitjen e një “pikëvështrimi të huaj” dhe Yaël Braun-Pivet, presidentin hebre të Asamblesë Kombëtare tashmë të shpërbërë, se e kanë ngritur “kampin në Tel Aviv.”

Ndërkohë, Le Pen, babai i së cilës Jean-Marie Le Pen, themeluesi i partisë së saj, ishte një antisemit, ka qenë e hapur në mbrojtjen e saj ndaj Izraelit dhe argumenton se partia e saj tani është bërë shtëpia e natyrshme për komunitetin hebre francez, duke pasur parasysh armiqësinë e saj ndaj eimigrantëve myslimane. Organizatat e mëdha çifute deri më tani i kanë rezistuar thirrjeve të saj.

Macron, duke u përpjekur qartë t’u bëjë thirrje votuesve të Tubimit Kombëtar, tha se ai ishte i vendosur të impononte më shumë “vendosje” dhe “autoritet”, duke u ankuar se masat e marra tashmë për të rritur rekrutimin e oficerëve të policisë dhe për të kufizuar emigracionin e paligjshëm nuk ishin “parë sa duhet, ndjerë mjaftueshëm, ose kuptuar nga bashkatdhetarët tanë.”

“Çfarë do të bëheshin me pensionet tuaja nëse do qeveriste Tubimi Kombëtar?” pyeti ai.

“Çfarë do ndodhte me kreditë tuaja për pasuri të paluajtshme, kostoja e të cilave do rritet me rritjen e normave të interesit?”

Macron vijoi më tej: “Çfarë do ndodhte me vlerat tona dhe me bashkatdhetarët tanë që kanë dy kombësi me origjinë të ndryshme?”

Kishte një ndryshim, argumentoi Macron, midis votës së zemërimit, si në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, dhe zgjedhjeve legjislative që po afroheshin. Francezët me sens të mirë, tha ai, do bëjnë zgjedhjen e duhur.

Ai përfundoi duke bubulluar: “Jo humbjes. Po zgjimit, një hap përpara për Republikën!”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times