Vendosni fjalën kyçe....

Shkodër, dhunohet me sende të forta punonjësi i Bashkisë, 49-vjeçari përfundon tek Trauma


Punonjësi i bashkisë së Shkodrës Ermal Dizdari është dhunuar gjatë një konflikti që ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 09:00 në lagjen “Salo Halili’

Policia e Shkodrës informon se Dizdari ka pësuar dëmtime fizike nga goditja me sende të forta.

Rreth orës 09:00, në lagjen “Salo Halili”, dyshohet se gjatë një konflikti, ka pësuar dëmtime fizike nga goditja me sende të forta, shtetasi E. D., 49 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet për kapjen e autorit, informoi sot policia e qytetit.

Sipas raportimeve në media, Dizdari që nga spitali i Shkodrës, për shkak të dëmtimeve ka përfunduar tek Trauma, të cilit i është bërë skaneri rreth një orë më parë dhe është konstatuar që ka hemorragji në tru por është koshient dhe flet.

Megjithatë do të do të mbahet nën monitorimin e mjekëve. Për momentin nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Përveç hemorragjisë, ka një frakturë zhytëse në ballë. Ka disa plagë në kokë dhe 4 dhëmbë të thyer në pjesën e sipërme të gojës, informon gazetarja e Report Tv, Ledina Jakini.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.