Vendosni fjalën kyçe....

Apeli shtyn për në 25 qershor vendimin për Fredi Belerin


Apeli i Posaçëm ka shtyrë për në datën 25 qershor në orën 13:00 shpalljen e vendimit për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

Avokatja e Belerit kërkoi në seancë largimin e gjyqtares Daniela Shirka duke pretenduar për njënshmëri.

Avokatja tha se bëhet fjalë për një proces të manipuluar, përgjime të pavlefshme dhe të paligjshme, duke thënë se të gjitha aktet janë marrë në kundërshtim me ligjin.

“Beleri e ka kundërshtuar në çdo moment proceduarial akuzën e prokurorisë. Autorizimi për përgjimin dhe vëzhgimin ndaj Belerit dhe stafit elektoral ka dalë në kundërshti me ligjin. Edhe marrëveshja mes prokurorisë dhe Arsen Ramës ka shkelje të renda procedurale. Përgjimi dhe provat e gjetura në telefonin e Arsen Ramës nuk janë marrë në formën e duhur ligjore dhe nuk mund të përdoren si provë në gjykatë kundër Belerit. Arsen Rama nuk është as votues në bashkinë e Himarës dhe në datën 8 kur pretendohet se ai është takuar me Belerin ai nuk ka qenë fare në Himarë dhe kjo provohet nga qelizat telefonike që tregojnë se ai nuk ka qenë në Himare në atë datë”, tha avokatja e Belerit.

Fredi Beleri u arrestua tre ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 pasi u akuzua për blerje votash. Ai është dënuar me dy vite burg nga Gjykata e Posaçme ndërsa pret vendimin e Apelit.

Fredi Beleri e ka hedhur poshtë procesin si të montuar politikisht me urdhër të kryeministrit Rama. Arrestimi dhe dënimi i tij është bërë mollë sherri mes Athinës e Tiranës.

Beleri u zgjodh eurodeputet në zgjedhjet për Parlamentin Evropian pasi u kandidua nga Nea Demokratia e kryeministrit grek Mitsotakis.