Vendosni fjalën kyçe....

Berisha publikon përgjimet: Një dosje për AKSHI-n që implikon baxhanakun, kunatën dhe vetë Edi Ramën


Sali Berisha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se familjarë të tij janë përfshirë në tenderat e AKSHI-it duke përmendur një regjistrim ku përmenden marrëdhënie dhe ndërhyrje direkte për përfitime nga tenderat.

Ai ka theksuar se gjithçka do të bëhet publike në emër të interesave të shqiptarëve. 

Berisha akuzoi Edi Ramën për korrupsion, duke pohuar se Rama refuzoi një interpelancë të kërkuar prej tij dhe përdori Lindën e Parlamentit për ta penguar. Ai deklaroi se do të zbulojë të gjitha të vërtetat përpara shqiptarëve dhe i bëri thirrje publikut të vazhdojë betejën kundër shtetit të korruptuar.

“Pak ditë më parë, unë i kërkova një interpelancë Edi Ramës. Edi Rama e refuzoi, veshur me fustanin e Lindës së Parlamentit, deklaroi se “nuk pranoj interpelancën tënde se ti hyn në jetën personale, se ti fyen, etj”. Të gjitha të pavërteta. Mirëpo siç kam deklaruar, unë çdo gjë do bëj publike në emër të interesave publike të shqiptarëve.

Miqtë e mi, në Skrapin e partisë po zhvillohet një betejë e egër. Një dosje për AKSHI-n implikon direkt baxhanakun, kunatën dhe vetë Edi Ramën. Në një regjistrim ambiental të shtetasit Gerond Meçe, ortaku i baxhanakut të Edi Ramës, Armando Fangu, rezulton se ky shtetas ka takuar në ambientet e zyrës së tij një shtetas tjetër.

Shtetasi tjetër me inicialet A. K. i kërkon Gerondit që ta ndihmojë me anë të lidhjeve që ka me ortakun e tij, baxhanakun e Edi Ramës, kunatin e Linda Ramës, Armando Fangu për tenderat te AKSHI dhe me ndërhyrje direkt te zonja Linda. Gerondi ka dalë garant dhe thotë se te AKSHI çdo gjë e kontrollon vetë, deri tek dalja e tenderave.

Ai pranon se Armando Fangu është pronar de facto i kompanisë ABC dhe Kane dhe kanë mbështetjen e plotë të kryeministrit nëpërmjet zonjës Linda. Të gjitha këto përgjime janë në dosje dhe nuk janë megjithëse vetë zonja takon, sipas burimeve, të cilat të mos identifikohen, një prokuror të Skrapit, Mara, dhe bën presion të jashtëzakonshëm për likuidimin e dosjes. Likuidimin e dosjes së përgjimit ambiental e kërkon me insistim të madh mercenar Dumani” – tha Berisha.

“Tani unë kam këto pyetje për Edi Ramën. Edi Rama, ke dijeni ti për këtë dosje apo nuk ke? Ke dijeni ti se baxhanaku yt ka fituar dhjetëra, qindra tendera vetë dhe me prestanome nga AKSHI? Edi Rama, a është një nga burimet e fuqishme të pasurimit të familjes tënde?

Edi Rama, ke dijeni ti është takuar zonja jote me prokurorin Mara apo jo? Edi Rama, ke porositur ti Zamanin që të shkatërrohet dosja dhe të mos hetohet AKSHI për tenderat kriminale, lidhjet kriminale me Armando Fangun? Këto ishin pyetjet dhe dhjetëra e dhjetëra të tjera që unë do t’i bëja ty në parlament para gjithë shqiptarëve.

Por përdore Lindën e Parlamentit për të më hequr fjalën. Tani unë përpara shqiptarëve do të them çdo të vërtetë rreth teje, familjarëve, ministrave, zyrtarëve që nuk ngopeni kurrë duke vjedhur këtë popull. Ndaj dhe u bëj thirrje si shpresa e vetme e Shqipërisë, të vazhdojmë këtë betejë gjer në përmbysjen e këtij shteti krim dhe krimi shtet” – tha Berisha.