Vendosni fjalën kyçe....

Kievi hedh poshtë propozimin e Moskës për ndërprerjen e luftës: I papranueshëm


Ndihmësi i presidentit ukrainas Vladimir Zelensky, Mikhail Podoliak, ka hedhur poshtë kushtet e vëna nga Rusia për ndërprerjen e luftës duke thënë se ato janë të papranueshme.

Gjatë një takimi me zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Putini përshkroi kushtet që duhet të plotësohen për të ndalur menjëherë armiqësitë dhe për të filluar bisedimet e paqes.

Këto përfshijnë një tërheqje të forcave ukrainase nga territoret e pushtuara të Rusisë, të cilat duhet të njihen ndërkombëtarisht, një premtim nga Kievi për të mos u anëtarësuar në NATO ose për të kërkuar armë bërthamore dhe heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Putin paralajmëroi se nëse Kievi dhe Perëndimi hedhin poshtë propozimin, ata do jenë përgjegjës për gjakderdhjen e vijueshme, ndërsa gjendja në fushën e betejës do vijojë të ndryshojë “jo në favor të regjimit të Kievit”.

Duke iu përgjigjur sugjerimit të Putinit, Podoliak shkroi në X se presidenti rus nuk po ofronte “asnjë propozim të vërtetë paqeje” dhe nuk tregonte “asnjë dëshirë për t’i dhënë fund luftës”.

Ai nënvizoi se plani i Moskës ishte një “gënjeshtër e plotë” dhe e hodhi poshtë atë si “shumë ofendues ndaj ligjit ndërkombëtar” dhe “arsyes së përbashkët”, duke pretenduar se Rusia do vijonte luftën në “formate të reja” nëse Kievi pranon ndonjë nga pikat e ropozimit.