Ish-kryeshkiakja e Libohovës Luiza Mandi, e cila u dënua dje nga Gjykata e Posaçme me 8 muaj burg për shpërdorim detyre ka thënë se sulmohet nga njerëz që duan të njollosin emrin e saj.
Përmes një shënimi në Facebook Mandi thotë se nuk ka ndërmend të kundërshtojë a komentojë vendimin e gjykatës po të tregojë faktet sipas saj.
Ajo shkruan se nga punimet për restaurimin e qendrës u desh që të zgjerohej rruga dytësore ku u prek prona e përbashkët e 10 familjeve.
Sipas ish-kryebashkiakes, asokohe personi në fjalë që e ka paditur nuk ka pretenduar asgjë bashkë me familjet e tjera po vetëm disa punime sistemuese në oborret e shtëpive.
Në fund ajo shkruan se është krenare për punën e bërë si kryebashkiake ndërsa paralajmëron se do e mbrojë emrin e saj në të gjitha shkallët e gjyqësorit.
Reagimi
“Të dashur miq e bashkëqytetarë te mi!Jam njohur nga media për vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku akuzohem për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për një padi të ngritur kundër meje nga një pronar toke në qytetin e Libohovës. Nëpërmjet këtij postimi nuk dua të kundërshtoj apo të komentoj vendimin e kësaj gjykate, por si e votuara juaj për dy mandate, kam detyrimin që të ndaj me ju, si para Zotit, të vërtetën e këtij sulmi nga njerëz që duan të njollosin emrin tim. Para jush unë do të jap llogari, njësoj sikur të isha në detyrë.
Gjatë zbatimit të projektit për restaurimin e qendrës së qytetit Libohovë, në vitin 2016, lindi nevoja për zgjerimin e rrugës dytësore, bypass-it të qytetit. Zgjerimi do të “cënonte” edhe pronën në bashkëpronesi nga 10 pronarë, ku vetëm 15.8 metra katror i takonin paditësit. Duke qenë një sipërfaqe kaq e vogël, asnjëri nga bashkëpronarët, perfshi edhe paditësin, nuk kërkuan asnjë dëmshpërblim për këtë, por vetëm disa punime sistemimi në bahçen e shtëpisë së tyre, të cilat ju plotësuan.
Punimet për sistemimin e rrugës zgjatën disa muaj, por në asnjë rast, bashkëpronarët apo paditësi, nuk kanë patur asnjë ankesë për zaptim prone, në Bashkinë Libohovë apo në ndonjë instutucion tjetër lokal. Vlera totale e pronës, sipas vlerësimit, qenkërka 3 milionë e 600 mijë lekë (të vjetra) dhe vlera që paditësit “i takon” është 360 mijë lekë (të vjetra).
Të dashur bashkëqytetarë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për këtë “dëm” që i kam shkaktuar këtij qytetari, e ka klasifikuar “shpërdorim detyre” dhe kërkon të më dënojë me 8 muaj heqje lirie! Ndihem krenare për punët e mira që kam bërë gjatë ushtrimit të detyrës sime si kryetare e bashkisë, por këtë krenari dhe emrin tim që dikush është i intresuar për ta goditur dhe njollosur, do ta ruaj me të gjitha mjetet ligjore, në çdo shkallë të gjyqësorit!”