Vendosni fjalën kyçe....

Franca, Gjermania dhe Britania i dënojnë masat e Iranit për zgjerimin e programit bërthamor


Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe e kanë dënuar të shtunën Iranin për ndërmarrjen e hapave për zgjerimin e mëtejmë të programit të saj bërthamor.

Tri vendet aleate thanë se me këtë Irani po e shkel marrëveshjen historike të vitit 2015 për programin e saj bërthamor, pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha të enjten se Irani po i përpërforcon objektet e pasurimit me uranium në dy zona.

“Këto masa do t’i rrisin përsëri rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, niveli i të cilit i ka tejkaluar tashmë limimet e vendosura me marrëveshjen e vitit 2015”, thanë Franca, Gjermania dhe Britania në një komunikatë të përbashkët.

Një javë më parë, këto vende paraqitën një rezolutë në një takim të bordit të guvernatorëve të IAEA-s, duke e kritikuar Teheranin për mungesë bashkëpunimi me agjencinë për mbikëqyrjen e programit të saj bërthamor.

Irani e quajti rezolutën “të nxitura dhe të pamatur”.

Irani e mohon se synon të zhvillojë armë bërthamore, duke thënë se programi i saj bërthamor është për qëllime paqësore dhe civile.

Gjermania, Franca dhe Britania thanë se është e papranueshme që Irani të ndërmarrë hapa të tillë si përgjigje ndaj rezolutës.

Sipas IAEA, Irani është i vetmi shtet që nuk zotëron armë bërthamore por pasurohet me uranium në një nivel të lartë prej 50 për qind dhe vazhdon të grumbullojë rezerva të mëdha të uraniumit.

IAEA ka thënë se Teherani e ka përshpejtuar programin e vet bërthamor dhe tani ka material të mjaftueshëm për t’i ndërtuar disa bomba atomike.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 hoqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, por më 2018 presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, u largua nga marrëveshja dhe që atëherë Uashingtoni ka rivendosur sanksionet ndaj Iranit që kanë ngufatur ekonominë e Republikës Islamike

Përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes kanë dështuar dhe Teherani ka shkelur kushtet e marrëveshjes duke prodhuar uranium me nivel të lartë të pasurimit.

Në mars, Bloomberg News citoi një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes i cili tha se Irani është më pak se 12 ditë larg që të posedojë materialet e nevojshme për prodhimin e një bombe bërthamore./REL