Vendosni fjalën kyçe....

G7 i kërkon Rusisë t’i paguajë 486 miliardë dollarë Ukrainës


Udhëheqësit e vendeve të G7-ës kanë kërkuar që Rusia t’i paguajë Ukrainës 486 miliardë dollarë për dëmin që thonë se është shkaktuar nga lufta në vijim, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar të premten.

SHBA dhe aleatët e saj të G7-ës, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia, pohuan se asetet ruse do mbeten të ngrira derisa Moska të përfundojë luftën dhe të paguajë kompensim. Perëndimi ka ngrirë afërsisht 300 miliardë dollarë fonde sovrane ruse që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

“Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj të paligjshme dhe të paguajë për dëmin që i ka shkaktuar Ukrainës. Këto dëme tani tejkalojnë 486 miliardë dollarë, sipas Bankës Botërore”, thuhet në deklaratën e G7-ës, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

G7 tha se synon të sigurojë financim që do shërbehet dhe do paguhet nga flukset e ardhshme të “të ardhurave të jashtëzakonshme që rrjedhin nga ngrirja e aseteve sovrane ruse” të mbajtura në Bashkimin Evropian dhe juridiksione të tjera përkatëse.

“Për të mundësuar këtë, ne do të punojmë për të marrë miratimin në këto juridiksione për të përdorur flukset e ardhshme të këtyre të ardhurave të jashtëzakonshme për shërbimin dhe shlyerjen e kredive”, thuhet në deklaratë.

Rusia ka deklaruar vazhdimisht se çdo veprim i ndërmarrë kundër aseteve të saj do të përbënte “vjedhje” dhe do të shkelte ligjin ndërkombëtar. Moska ka paralajmëruar se do përgjigjet në të njëjtën mënyrë nëse Perëndimi vazhdon me kërcënimet për konfiskimin e aseteve ruse.