Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kishte zgjedhur qytetin e Kavajës për të uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.
Nga xhamia e këtij qyteti, ish-presidenti bëri dhe premtimin elektoral se nëse rikthehet në qeveri, brenda 100 ditësh do të rikthejë të gjithë pronat e komuniteteve fetare teksa shtoi se mbështetja për to do të jetë 10 herë më e madhe.
“Ta nisim këtë ditë të shenjtë të sakrificës, të bindjes dhe humanizmit nga një qytet simbol i vlerave tradicionale, kombëtare dhe të besimit dhe shpirtërores nga Kavaja. Uroj besimtarët në mbarë Shqipërinë gëzuar këtë festë që na bën bashkë dhe na kujton se sakrificat duhen njohur e shpërblyer, e të mirat duhen ndarë që të plotësojmë njëri tjetrin dhe të forcojmë harmoninë në komunitete. Gjej rastin të konfirmoj vendosmërinë e PL për të kthyer brenda 100 ditëve të gjitha pronat e komuniteteve fetare.
Krim që për 34 vite ka një zvarritje, grabitje të qëllimshme të pronave të komuniteteve fetare për shkak të klientelizimit dhe korrupsionit. Vetëm një masë e tillë do të shlyejë një detyrim të madh dhe do të ndihmojmë vendin që të ketë më shumë mbarësi dhe do të jemi më të çliruar nga ajo padrejtësi që ndodhi në Shqipëri ku u ndalua besimi për dekada të tëra dhe u morën pronat e komuniteteve. Premtoj se komunitetet do të mbështeten 10 herë më shumë nga buxheti i shtetit”, tha Meta.