Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kritikoi planet e shpallura nga ushtria izraelite të dielën se do të ndalojë luftimet gjatë orëve të ditës përgjatë një rruge në Gazën jugore, për të mundësuar hyrjen e një sasie të madhe të ndihmave humanitare për palestinezët.
Ushtria tha se pauza që filloi në orën 8:00 të mëngjesit, do të jetë në fuqi deri në orën 19:00 dhe do të zbatohet çdo ditë deri në një njoftim tjetër.
“Kur kryeministri dëgjoi njoftimet për një pauzë humanitare prej 11-orësh, ai iu drejtua sekretarit të tij ushtarak dhe ia bëri të qartë se kjo ishte e papranueshme për të”, tha një zyrtar izraelit.
Ushtria saktësoi se operacionet normale do të vazhdojnë në qytetin Rafah, objektiv kryesor i operacionit të saj në jug të Gazës, ku të shtunën mbetën të vrarë tetë ushtarë izraelitë.
Reagimi i kryeministrit Netanyahu nxjerr në pah tensionet politike lidhur me çështjen e ndihmave që hyjnë Gazë, ku organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një krizë humanitare në rritje, përcjell VOA.
Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, i cili drejton një nga partitë fetare nacionaliste në koalicionin qeverisës të zotit Netanyahu e kundërshtoi idenë e një pauze taktike, duke thënë se kushdo që e vendosi ishte një “i marrë” që duhet të pushohej nga puna.
“Pauza taktike” e shpallur nga ushtria, e cila zbatohet në një hapësirë prej rreth 12 kilometrash në zonën e Rafahut, është shumë larg nga një armëpushim i plotë në territorin e rrethuar, që është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë aleatin kryesor të Izraelit, Shtetet e Bashkuara. Nëse qëndron, ndalimi i kufizuar i luftimeve mund të ndihmojë në trajtimin e disa prej nevojave të mëdha të palestinezëve, të cilat janë shtuar edhe më shumë javët e fundit me sulmin e Izraelit në Rafah.
Pauza synon të lejojë kamionët e ndihmave të arrijnë në vendkalimin e afërt të kontrolluar nga Izraeli, Kerem Shalom, hyrja kryesore për ndihmën dhe të udhëtojnë të sigurt në autostradën Salah a-Din, një rrugë kryesore veri-jug, tha ushtria. Vendkalimi është përballur me bllokadë që kur trupat tokësore izraelite u zhvendosën në Rafah në fillim të majit.