Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është duke u përgatitur t’ia japë Rio Tintos dritën jeshile për ndërtimin e minierës më të madhe të litiumit në Evropë, dy vjet pasi Beogradi e anuloi projektin, raportoi të dielën Financial Times.
Vuçiq tha për gazetën se “garanci të reja” nga gjiganti botëror i minierave dhe nga Bashkimi Evropian duket se do t’i adresojnë shqetësimet e Serbisë, nëse standardet e nevojshme mjedisore do të plotësohen në luginën perëndimore të Jadarit.
Rio Tinto tha në një komunikatë për Reuters: “Ne besojmë se Projekti Jadar ka mundësi për t’u bërë aset i klasit botëror, i cili mund të shërbejë si katalizator për zhvillimin e zinxhirit të EV [veturave elektrike] në Serbi”.
I cilësuar si material kritik nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, litiumi përdoret për bateritë e automjeteve elektrike dhe celularëve.
Vuçiq tha se miniera mund të hapet më 2028, duke shtuar se ajo parashikohet t’i prodhojë 58.000 tonë litium në vit, gjë që do të “mjaftonte për 17 për qind të prodhimit të EV-së në Evropë – 1.1 milion vetura përafërsisht”.
Më 2022, Beogradi e tërhoqi licencën për projektin e Rios në vlerë 2.4 miliardë dollarë, pas protestave masive.
Më 2021 dhe 2022, aktivistët mjedisorë të Serbisë i mblodhën 30.000 nënshkrime në një peticion që kërkonte që Parlamenti ta miratojë një legjislacion për ndaljen e kërkimeve për litium në vend.