Vendosni fjalën kyçe....

Shkeli perimetrin e sigurisë ujore në Palasë, gjobitet dhe i bllokohet gomonia një personi


Me nisjen e sezonit të plazhit, policia e shtetit ka nisur edhe patrullimin në det për të shmangur shkeljen e ligjit nga përdoruesit e mjeteve ujore përgjatë vijës bregdetare.

Ditën e sotme drejtuesi i një mjeti është gjobitur pasi shkeli perimetrin e sigurisë ujore në plazhin e Palasës.

Shtetasi K.M është gjobitur me 100 mijë lekë dhe mjeti i tij është bllokuar.

Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e Palasës, duke bërë bllokimin e një mjeti lundrues gomone që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre.

Shërbimet e Policisë ndëshkuan drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin K. M, me masën administrative 100 000 lekë të rinj si dhe bllokuan mjetin lundrues gomone në Portin Himarë.

Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe patrullat tokësore, do të vijojnë monitorimin dhe kontrollin e të gjithë zonave bregdetare, me qëllim sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë pushuesit.

Policia apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete. Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet sipas ligjit në fuqi, për të garantuar sigurinë dhe rendin në zonat bregdetare”-njofton policia.