Vendosni fjalën kyçe....

30 ditë afat, “Trepça” kërkon kthimin e pronave që i ka brenda Kosovës


Ndërmarrja “Trepça”, ka dhënë afat 30 ditë, që organizatat e shoqërisë civile dhe subjektet juridike t’i kthejnë pronat kësaj ndërmarrje.

Ky njoftim, përfshin vetëm pronat brenda territorit të Kosovës por jo edhe jashtë saj.

Pas shpërbërjes së ish-sistemit jugosllav shumë prona jo vetëm të personave privat, por edhe të shtetit të Kosovës, mbetën jashtë kufijve.

Ndërmarrja “Trepça Sh.A” ka kërkuar kthimin e pronave të tyre të paluajtshme.

Menaxhmenti i ndërmarrjes ka ndërmarrë hapa për të siguruar dëshmi të pronësisë dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim nga të gjitha subjektet.

“Menaxhmenti i tanishëm është duke u angazhuar me seriozitetin në ringritjen e saj drejt një gjiganti ekonomik.

Po punojmë në rishikimin e infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve dhe avancimin e kapitalit tekniko-teknologjik si parakusht për rivitalizimin e Trepçës si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë, jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik.

Në të njëjtën kohë së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe zyrat regjionale kadastrale jemi duke siguruar dëshmi për pronësinë e “shoqërisë”.

Menaxhmenti i “Trepça Sh.A.” u ka drejtuar një kërkesë publike të gjitha subjekteve juridike dhe fizike, organizatave të shoqërisë civile dhe subjekteve të tjera që aktualisht sipas tyre, po shfrytëzojnë pronat e paluajtshme të ndërmarrjes, që brenda një afati 30-ditor, deri më 10 korrik, të kontaktojnë zyrat e menaxhmentit në Parkun Industrial në Mitrovicë.

“Të gjitha këto prona do t’i kthehen në shfrytëzim ndërmarrjes, me ç’rast disa prej tyre do t’i lëshojmë me qira e disa do t’i përdorim për zhvillimin e kapaciteteve të reja. Me qëllim të realizimit të këtyre objektivave, në rend të parë kthimin e pronave tek pronari, Menaxhmenti i “Trepça Sh.A.” ka vendosur që t’i drejtohet opinionit publik me një kërkesë”.

 

Mirëpo, kthimi i këtyre pronave duket të mos jetë i lehtë.

“Asetet e saj kane qenë të shpërndara në kohën e Jugosllavisë dhe kanë qenë të shpërndara kryesisht në Mal te Zi dhe Serbi. Janë problematika juridike dhe janë problematika te tjera që as parimisht as politikisht e ekonomikisht nuk i kemi të qarta. Janë dhjetëra të tilla por secila nga to, ka histori të veçantë juridikë pasi Jugosllavia ka kaluar në disa etapa dhe janë probleme juridike, ” ka thënë Ferat Shala-ish-drejtor i ndërmarrjes “Trepca”.

Janë edhe gjithsejtë 169 prona që Kosovës i kanë mbetur jashtë territorit të saj.

Prej tyre, 104 janë vetëm brenda territorit të Serbisë.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kanë treguar se disa prej shteteve së bashku me Qeverinë e Kosovës, kanë filluar diskutimet, por jo edhe me Serbinë.

“Republika e Kosovës me shumicën e vendeve fqinje të dala nga ish Jugosllavia ka të vendosura marrëdhënie diplomatike dhe janë krijuar mundësitë që në rrugë diplomatike të zgjidhen problemet me pasuritë e Kosovës që gjenden në territorin e këtyre shteteve, përveç me Serbi dhe me Bosnje e Hercegovinë”.

Me njërin shtet, Ministria e Drejtësisë si përfaqësuese nga Kosova, kishte filluar procedurat ligjore, por ende asgjë konkretisht.

Sa i përket pyetjeve tuaja, ju informojmë se Avokatura Shtetërore është duke e përfaqësuar Republikën e Kosovës në çështjen ku pala – qytetari i Malit të Zi, ka paditur Republikën e Kosovës për zgjidhjen e kontratës me të cilën kontratë Kosova kishte blerë një pronë – rreth 300m². Çështja është në shqyrtim nga gjykata në Kotor. Në çështjen tjetër Republika e Kosovës e ka paditur Malin e Zi për kompensimin e pronës së tjetërsimin e pronës të cilin ish pushimorja “Ganimete Tërbeshi” e kishte në shfrytëzim të përhershëm. Lënda është regjistruar në gjykatë, mirëpo ende nuk është caktuar asnjë seancë”.

Trepça menaxhohet nga Qeveria e Kosovës dhe ndërmarrjet publike që kanë funksionuar në periudhën e ish-Jugosllavisë dhe post Jugosllavisë, që kanë mbetur në shtetet e tjera, atëherë në këtë rast është Ministria e Drejtësisë që duhet të filloj hapa për kthimin e pronave shtetërore.

Sipas AKP-së, në Bosnje dhe Hercegovina janë 17, 10% prona të Kosovës, në Kroaci 5, 3%, Mali i Zi 35, 21%, Maqedoni 7, 4%, Serbi 104, 62%, Slloveni 1, 1%.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor