Vendosni fjalën kyçe....

Analiza: Si po i shkatërron regjimi bjellorus librat që nuk i pëlqejnë


Prej kur lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, e ka shpallur veten sërish fitues në zgjedhjet e kontestuara presidenciale të vitit 2020, aktivistë për të drejta të njeriut, aktivistë të demokracisë, dhe raportues të mediave, e kanë mbajtur mbi supe peshën e shtypjes që i ka bërë pushteti disidencës potenciale.

Tani, shumë libra të padëshiruar, dhe materiale tjera të publikuara, janë duke u kryqëzuar prej regjimit autoritar. Ministria bjelloruse e Informacionit aktualisht e ka një listë të “materialeve ekstremiste”, dhe aty hyjnë më shumë se 2.750 libra, CD, uebfaqe, kanale të Telegramit dhe platforma tjera online për mesazhe. Lista është rreth 1.100 faqe e gjatë dhe përditësohet gati çdo ditë.

Ndalesa e vënë në libra nuk është asgjë e re në Bjellorusi dhe shumë publikime janë vënë në listë të zezë në këtë shtet, ku Lukashenka udhëheq me grusht të hekurt prej vitit 1994.  Ndonëse më parë kanë ekzistuar disa komisione ekspertësh që kanë vlerësuar se çka mund të konsiderohet si “ekstremiste”, tani pjesën më të madhe të punës e bëjnë gjykatat lokale dhe ato nuk janë fare të shqetësuara për përmbajtjen që e ndalojnë.

“E shohim sesi kanalet në Telegram me tre abonues janë duke u ndaluar vetëm pse dikush nuk ia pëlqen emrin”, ka thënë Paval Barkouski, profesor në Institutin për Filozofi dhe Sociologji të Akademisë polake të Shkencave, i cili më parë ka ligjëruar në Universitetin shtetëror të Bjellorusisë.

“Është e qartë që nuk po flasim për ekspertizë të kualifikuar”, ka thënë ai.

“Po flasim për shtypje të çdo materiali që nuk është në përputhje me politikat e autoriteteve lokale. Pse ju duhet ekspertiza? Vetëm do ta komplikonte procesin”.

Shtypja që po bëjnë autoritetet është vënë në pah së fundmi kur një burrë i qytezës perëndimore Kobryn është ndaluar për 10 ditë, nën akuzat për “shpërndarje të ekstremizmit”. Autoritetet e kanë dënuar atë për “shfaqje publike” të librave në banesën e tij, të autorit bjellorus, të shpërblyer me shumë çmime, Uladzimer Arlou.

‘Ata kërkuan vetë nëpër dollapë’

Një shtypje e tillë mbi librat dhe publikimet tjera tregon një tjetër shembull, se si autoritetet bjelloruse janë duke udhëhequr me taktikat e regjimeve totalitare dhe autoriteteve në të kaluarën, ka thënë Barkouski për vendlindjen e vet, ku autoritetet e sigurisë së Lukashenkas kanë kryer fushatë brutale kundër atyre që kanë protestuar në marshet e vitit 2020.

Pas arrestimit të mijëra personave dhe detyrimit të shumë figurave opozitare që të largohen prej shtetit, autoritetet tani duket se po e shtrijnë rrjetin edhe më gjerë, duke përfshirë në fushatën e tyre edhe libraritë dhe bibliotekat në gjithë shtetin, për t’u siguruar që në treg nuk ekziston asgjë që e portretizon negativisht regjimin.Autorët që kanë shitur mijëra kopje të librave të tyre deri më tani, përfshirë: Alherd Bakharevich, Uladzimer Nyaklyayeu, Vatslau Lastouski, Ales Petrashkevich, dhe madje laureatin e Çmimit Nobel, Joseph Brodsky, janë në mesin e atyre që janë shënjestruar.

Fushatës nuk i ka shpëtuar as stafi që ka shitur libra. Një shitëse në një dyqan të mallrave të dorës së dytë në Minsk, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dy burra me rroba civile i kanë shkuar në dyqan në maj dhe kanë pasur diskutime të gjata me menaxherin.

“Ata kanë kërkuar vetë nëpër dollapë”, ka thënë ajo, dhe ka treguar se ata kanë gjetur disa tituj librash të kontestueshëm, përfshirë dy prej serisë Knihazbor, e cila fokusohet në historinë bjelloruse dhe literaturën klasike.

“Ai ‘komision’ i ka marrë librat me vete”, ka thënë ajo, dhe që menaxheri i dyqanit nuk i ka zëvendësuar me kopje tjera.

‘Reagim histerik’

Ish-udhëheqësja e një biblioteke të shkollës së mesme në qytetin perëndimor Brest, ka thënë se inspektorët e kanë vizituar një herë më 2023. Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se inspektorët kanë qenë të interesuar në librat e historisë, të gjuhëve të huaja, kërkime akademike, dhe kanë kërkuar edhe tituj specifikë, që i kanë pasur të fotografuar në telefon.

“Ata kanë gjetur tekste dhe libra prej viteve 1990”, ka thënë ajo. Ata i kanë thënë që ato materiale nuk do të duhej të ishin në bibliotekë.

“Ata kanë pasur reagime aq histerike për librat – thuajse janë lëndë shpërthyese”.

Ndonëse librat shkollorë ndërrohen gati çdo pjesë vjet, zyrtarja e bibliotekës ka thënë se disa kopje janë ruajtur gjithmonë pasi trajtojnë disa probleme më mirë sesa publikimet e reja.

Tani, pas zhdukjes së tyre, ajo beson se është dëmtuar roli i bibliotekës si arkivë e mirë e njohurive.

“Një kopje duhet të jetë patjetër në bibliotekë”, ka thënë ajo.

“Kështu më kanë mësuar në fakultet. E kam njoftuar drejtorin dhe komisionin për këtë gjë. Askush nuk i ka dëgjuar ankesat e mia”.

Përveç shkollave, bibliotekat e burgjet janë shënjestruar, gjithashtu, prej zyrtarëve që kërkojnë të zhdukin gjithçka që e konsiderojnë të kontestueshme. Një ish i burgosur politik, që është liruar së fundmi prej një burgu në Navopolatsk – ku po vuajnë burgun më shumë se 100 të burgosur politikë – i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aty ka ekzistuar një bibliotekë shumë e mirë, me shumë libra dhe revista në gjuhën bjelloruse, por të gjitha “janë konfiskuar”, bashkë me tekstet në gjuhë të huaja.

“Ata kanë konfiskuar shumë libra edhe në gjuhën kineze”, ka thënë ai.

“Ne jemi bërë shaka, duke thënë ‘kinezët janë miqtë tanë’. Librat personalë janë konfiskuar. Kemi pyetur se çfarë do të ndodhë me ta? Ata na kanë thënë se do t’i djegin”.

‘Shkatërrim i qëllimshëm’

Sipas pikëpamjes së filozofit Pavel Barkouskit, ideja e zhdukjes apo djegies së librave është e ngjashme me qasjet e regjimeve tjera autoritare që tentojnë të heshtin zërat kundërshtarë.

“Shkatërrimi i qëllimshëm i librave ka nisur qysh në kohën e Inkuizicionit”, ka thënë ai.

“Puna që kisha e ka konsideruar si mendim të lirë, është përfshirë në listën e librave të ndaluar. Librat janë djegur. Në Gjermaninë Naziste, librat janë djegur edhe nëpër sheshe. Njëjtë ka ndodhur edhe në kohën e Bashkimit Sovjetik, jo në mënyrë teatrale, por në mënyrë sekrete”.

Fakti që librat bjellorusë janë në mesin e materialeve që po shënjestrohen, kthen në kujtesë ditët e errëta të së kaluarës bjelloruse, sikurse ato të vitit 1937 kur autoritetet bjelloruse – në ndjekje e sipër të politikave të Moskës – kanë urdhëruar largimin nga tregu dhe shkatërrimin e më shumë se 400 librave bjellorusë, përfshirë titujt klasikë.

Për Barkouskin, kjo praktikë tregon se deri ku mund të shkojë situata në Bjellorusi, pasi autoritetet në Minsk nuk duket se do të largohen prej pushtetit.

“Shkatërrimi i librave konsiderohet praktikë e mirë dhe krejt normale në shekullin 21”, ka thënë ai.

“Vetëm tregon sa larg mund të shkojnë njerëzit e këtij regjimi. Por nuk është më viti 1937. Zyrtarë të regjimit janë gati t’i kthehen kohës së Inkuizicionit”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL