Hysaj reagon ndaj kritikave: U kërkoj ndjesë tifozëve


Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku ka reaguar për komentet e shumta negative që ka marrë.

Hysaj, i cili fajësohet për shkak se uli kokën te goditja e Barellas për golin e dytë të italianëve, i kërkoi falje tifozëve, teksa thekson faktin se është i gatshëm të bëjë maksimumin për fanellën.

Ndër të tjera, mbrojtësi shkruan se fokusi do të jetë te ndeshja  e radhës ndaj Kroacisë, shumë e rëndësishme për fatet e Shqipërisë.

Elseid Hysaj është kandidat për ta nisur nga minuta e parë takimin ndaj ekipit të Dalic, këtë të mërkurë. Sesi do shkojnë gjërat, mbetet të shihet.

Pas ndeshjes me Italinë dhe evenimenteve të fundit, ndjej ti kërkoj ndjesë të gjith tifozave shqiptar për
gabimin teknik dhe instiktiv që shkaktoi golin e dytë që pësuam.
Eshtë e tepërt të specifikoj që ishte pikërisht gabim loje dhe vlerësim i rremë i trajektores!
Kush më njeh e din mirë që do jepja cdo force që kam e do bëja cdo sakrificë për këtë bluze, sic kam bërë gjithmonë. Më vjen keq per strumentalizimin pa vend nga shumë persona të gabimit përtej vlerësimit teknik.
Nga ana tjetër falenderoj përzemersisht të gjith tifozat e panumërt që më kanë dërguar mesazhe konfortimi në forma të ndryshme. I pranoj me vetëdije kritikat dhe përkrahjen e tifozave anë e mbarë të cilët pa perjashtim i mbaj në zemër. Tashi të koncentrohemi te ndeshjet e ardhshme dhe forca Shqiperi gjithmonë“, shkruan Hysaj.