Vendosni fjalën kyçe....

Ish-pronarët, raporti: Deri në prill u kompensuan 79 subjekte me vlerë 2.3 mln euro


Agjencia e Trajtimit të Pronës deri në fund të prillit kompensoi 79 subjekte me vlerë 2.3 milionë euro si pjesë e programit “përfitue4s fondi fizik dhe financiar të kompensuar”.

Të dhënat e raportuara nga Ministria e Drejtësisë tregojnë se fondi i kompensimit ka qenë gjendje në bankën e nivelit të dytë. Ndërkohë i njëjti raport vlerëson se produkti “Vendimet e ankimuara në Gjykatë”, ka pasur për rezultat gjatë 4-mujorit të vitit 2024 mbylljen e 106 çështjeve. ATP vlerëson gjit5hashtu se “Shpërndarja e fondit të Aluiznit” është realizuar 100%.”

Ky produkt është realizuar nga të ardhurat e realizuar nga ndërtimet informale të derdhura në llogari të ATP nga ASHK, gjatë kësaj periudhe janë kompensuar 100 subjekte me fondet e mbartura nga viti 2023. Gjatë 4-mujorit të parë janë pranuar 488 aplikime” thuhet në dokument.

Në raportimin e monitorimit të buxhetit ministria nënvizon se në ATP realizimi i shpenzimeve të personelit është në masën 85 %, pasi në Shërbimin për Kthimin dhe Kompesimin e Pronave ka 17 vende vakante.

Realizimi i shpenzimeve operative është 5,160,410 lekë nga 17,120,000 lekë të planifikuara për 4- mujorin e vitit 2024, ose rreth 30 %. Gjatë këtij 4 mujori janë lidhur 5 kontrata që e shtrijnë aktivitetin për gjatë vitit 2024.

Buxheti fillestar i akorduar, me Ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, për programin Shërbimi i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ishte 4.41 lekë, me shkresën nr.1123/1, datë 21.02.2024 të Ministrisë së Financave është miratuar shtesa e fondit të veçantë prej 200 mijë lekë. .

Shpenzimet buxhetore për 4-mujorin e vitit 2024, krahasuar me buxhetin e alokuar për periudhën raportuese janë realizuar rreth 75%, pa përfshirë ndikimin e fondit te kompensimit të Ish-pronarëve.

Çështja e kompensimit të ish-pronarëve mbetet një nga më të nxehtat për aq kohë sa shuma financiare që kërkohet për këtë rast është miliarda lekë dhe shumat që jep çdo vit buxheti janë një pikë ujë në oqean. Vetë ATP në raportin vjetor 2023 pranonte se 19 987 vendime u vlerësuan financiarisht.

“Vlera për këto vendime është 116,149,629,679 lekë (një qind e gjashtëmbëdhjetë miliard e një qind e dyzet e nëntë milion e gjashtëqind e njëzet e nëntë mijë e gjashtë qind e shtatë dhjetë e nëntë) (vlera pritet të ndryshojë pasi ATP është në pritje të përfundimit të ankimimeve nga subjektet në bazë të afateve ligjore)” thuhej në raport.

KLSH në një auditim të një viti më parë vlerësonte se ritmet aktuale të kompensimit ishin të ngadalta.

“Në 7 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 133/2015 deri në 31 dhjetor 2022, nga ATP janë ekzekutuar në total vetëm 794 vendime ekzekutimi për kompensim financiar, nga 18734 vendime përfundimtare të vlerësuara nga Sektori i Kompensimit i ATP-së, e përkthyer në përqindje vetëm 4,5%, të vendime janë ekzekutuar, që do të thotë se me këto ritme Ekzekutimi Financiar i Vendimeve Përfundimtar për Kompensim që do të vlerësohen financiarisht sipas mënyrës dhe formave të përcaktuara në VKM-në 223/2016, të ndryshuar, është një proces pothuajse e pa realizueshëm, për zbatimin e nenit 16, pika 6 të ligjit nr. 133/2015” thuhej në raport.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor