Vendosni fjalën kyçe....

Eksportet i rikthehen rënies në maj, bien me 12.4%, efekti nga tekstile-këpucë e produktet bujqësore


Ka zgjatur vetëm një muaj ecuria pozitive e eksporteve, teksa në muajin maj, ato i janë rikthyer sërish rënies, të ndikuara nga tkurrja e shitjeve jashtë vendit të tekstile e këpucë dhe të produkteve ushqimore, pije e duhan.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Maj 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me -12,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në mars eksportet ishin tkurrur me 21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me 29.2%.

Gjatë muajit Maj 2024, në uljen e eksporteve prej -12,4%, negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -7,6 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me -2,7 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje, etj. Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,4 pikë përqindje.

Për pesë mujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, në këtë pesërmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 165 mld lekë, duke u ulur me -16,1%.

Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,4 pikë përqindje, etj.

 

Tekstilet dhe këpucët thellojnë rënien në maj

Në maj, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend (me 28.1% të totalit), ranë me 24.3%, nga 10.1%, që ishte tkurrja për prillin, duke përkeqësuar sërish ritmet. Për 5 mujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 46 miliardë lekë, me një tkurrje prej 19% me bazë vjetore.

Prej muajsh industria po kalon një periudhë të vështire e ndikuar nga shumë faktorë si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Ecuria është më negative edhe se gjatë periudhës së pandemisë, kur ekonomia globale u bllokua përkohësisht.

Për periudhën janar-maj 2023, një euro u këmbye mesatarisht me 114 lekë, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti këmbehet me 102.7 lekë, ose gati 10% më pak.

Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve.

 

Minerale, lëndë djegëse vijon rritjen ndonëse me ritme më të ngadalta

“Minerale, lëndë djegëse, energji” ishte grupi i dytë më i madh në vend, me 19.7% të totalit. Pas një rënieje të fortë në 3 muajt e parë të vitit, në prill ky grup e mori ndjeshëm veten si rrjedhojë e shitjeve më të larta nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Në prill, eksportet e këtij grupi u rritën me 26%. Tendenca pozitive vijoi dhe në maj, por me ritme më të ngadalta, me zgjerim prej 2.4%. Por, për 5 mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 32 miliardë lekë, me tkurrje 27%, si rrjedhojë e ecurisë negative në tre muajt e parë.

Materiale ndërtimi dhe metale vijojnë tkurrjen e lehtë

 

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi i tretë më të madh në vend për pesë mujorin, me 18.7% të totalit. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në maj ky grup ra me 3%, duke ngadalësuar për të dytin muaj radhazi ritmet e tkurrjes, ndërsa për 5 mujorin tkurrja është 13.4%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.

 

Ushqime pije e duhan me rënie të fortë

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit ka shënuar një ecuri negative në maj, pasi në prill iu rikthye rritjes. Në maj, eksportet e këtij grupi ranë me 16.7%, tkurrja më e fortë në shumë muaj, pas rritjes me 9.5% në prill. Ecuria negative e majit bëri që edhe për 5 mujorin shitjet e ushqimeve jashtë vendit ti ktheheshin tendencës negative, me -3.2%.

Ndërsa në muajt e parë të vitit eksportet e këtij grupi kishin shënuar rritje të fortë në sasi, por kishin ecuri më të dobët në vlerë për shkak të uljes së çmimeve, në maj shitjet janë ngadalësuar. Sipas INSTAT, eksportet në sasi të këtij grupi u zgjeruan me vetëm 3.8% në maj, nga 16% që kishte qenë rritja për 4 mujorin.

 

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive. Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në maj eksportet ranë me 5.3%, ndërsa për 5 mujorin tkurrja është 8.3%.

 

Rritet sërish deficiti tregtar

Në Maj 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me -12,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 0,5 %, në krahasim me Prill 2024. Importet e mallrave arritën vlerën 79 mld lekë, duke u ulur me -1,6%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 5,3%, në krahasim me Prill 2024. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 45 mld lekë, duke u rritur me 8,9%, krahasuar me Maj 2023 dhe 9,4%, në krahasim me Prill 2024.

Në këtë pesërmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 165 mld lekë, duke u ulur me -16,1%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 364 mld lekë, duke u ulur me -0,02 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 199 mld lekë, duke u rritur me 18,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

 

Rriten eksportet me Kosovën, bien me Italinë

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere Në muajin Maj 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2023 janë: Kosova (3,9%), Maqedonia e Veriut (20,0%), Kina (80,5%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (23,7%), Greqia (2.7%) dhe Gjermania (1.5%).

Gjatë këtij pesërmujori vendi me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, është: Kina (34,9%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Italia (15,6%), Kosova (2,6%) dhe Greqia (26,6%).

Në muajin Maj 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Turqia (17,3%), Greqia (4,2%) dhe Spanja (1,9%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (3,2%), Kina (23,2%) dhe Gjermania (6,8%).

Gjatë këtij pesëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (21,4 %), Greqia (18,4%) dhe Gjermania (5,0%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (5,0%), Kina (11,1%) dhe Maqedonia e Veriut (15,1%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 57,3%, të gjithë tregtisë. Në Maj 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 68,2% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,5% të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (28,5%), Kina (7,4%), Turqia (7,4%) dhe Greqia (7,2%). Shkëmbimet tregtare, për pesërmujorin e parë 2024, me vendet e BE-së zënë 58,4% të gjithë tregtisë.

Në periudhën Janar – Maj 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,0% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,2% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (28,8%), Turqia (8,9 %), Greqia (7,3%) dhe Kina (7,2%).

 

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor