Vendosni fjalën kyçe....

Kryevepra e Ticianit e gjetur në stacionin e autobusit në Londër mund të shitet për 32 milionë dollarë


Një pikturë e vjedhur dy herë e mjeshtrit italian të Rilindjes Tician, e cila dikur u gjet në një qese plastike në një stacion autobusi në Londër, pritet të arrijë në 32 milionë dollarë në ankand në korrik.

Sipas një deklarate nga shtëpia e ankandeve Christie’s, “The Rest on the Flight to Egypt” do dalë për shitje me një vlerësim prej 15 milionë-25 milionë stërlinash (19 milionë-32 milionë dollarë).

Piktura përshkruan Jezusin, Marinë dhe Jozefin duke pushuar rrugës për në Egjipt pasi mësuan se Herodi, Mbreti i Judesë, donte të vriste Krishtin e ri.

Ticiani, emri i vërtetë i të cilit ishte Ticiano Vecellio, e bëri veprën në dekadën e parë të shekullit të 16-të, në fillim të karrierës së tij.

Me përmasa vetëm 46,2 centimetra me 62,9 centimetra, piktura është e vogël në krahasim me disa nga veprat masive për të cilat Ticiani u bë i njohur më vonë në jetën e tij.

Puna në vaj në kanavacë ka një histori të jashtëzakonshme.

Pasi ndërroi duart midis aristokratëve të ndryshëm evropianë, piktura u grabit nga trupat Napoleonike gjatë pushtimit francez të Vjenës në 1809 dhe u dërgua në Paris.

Ajo u kthye në Vjenë në 1815 dhe u zhvendos përsëri nëpër koleksione private përpara se të përfundonte te John Alexander Thynne, Markezin e 4-të të Bath, në Ëiltshire, Angli.

Në vitin 1995, ajo u vodh nga Longleat, shtëpia e pasardhësve të Thynne dhe u zhduk për shtatë vjet, përpara se të gjendej në një stacion autobusi në Londër nga detektivi i artit Charles Hill.

“Kjo është një pikturë, që është lakmuar nga aristokratët, arkidukët dhe perandorët njësoj: e çmuar për skenën e saj me ngjyra të gjalla të dashurisë familjare brenda botës natyrore,” tha Christie’s në deklaratë.

“Ashtu si subjektet e tij, “The Rest on the Flight to Egypt” ka qenë në një udhëtim të gjatë dhe plot Aventura, një udhëtim që nuk ka përfunduar”.

Piktura do ofrohet si pjesë e ankandit Old Masters Part I të Christie’s në Londër më 2 korrik.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani