Në një mbrëmje mbytëse vere, aktorët dolën në skenë: një oborr me bar i rrethuar nga mure të larta burgu, i mbuluar me tela me gjemba dhe i ndriçuar nga një prozhektor i fortë.
Interpretuesit ishin të burgosur në burgun e sigurisë maksimale të Greqisë dhe po ashtu edhe audienca. Shfaqja – tragjedia e lashtë greke “Antigona”, një histori për vullnetin e lirë, mosbindjen dhe autoritetin – trokiti në zemrat e tyre. Për një orë, ata u ndjenë të lirë.
Të veshur me kostume ngjyrë kremi, burrat e moshës 24 deri në 63 vjeç, kishin muaj që praktikonin këtë çast.
“Nesër nuk është një rrugë pa krye”, bërtitën ata në kor ndërsa formuan një hark të kapur dorë për dore, në aktin e fundit.
Për dhjetëra të burgosur, përgatitja për teatrin në burgun e Korydallos, një kompleks në një pjesë të varfër të Athinës, kishte qenë një shkëputje nga rutina e zakonshme dhe shpesh rraskapitëse e jetës së përditshme të burgut dhe qelive të tij të ngjeshura e të zhurmshme.
“Ti harron se je në burg,” tha 37-vjeçari Konstantinos Bougiotis, i cili luajti rolin antagonist të mbretit Kreon.
“Ti ndalon së qeni në këtë mjerim, duke parë vetëm hekurat dhe muret,” tha ai.
Çdo provë ishte një shije lirie, tha një tjetër i burgosur, 54-vjeçari Dimitris Kavalos, i cili kurrë nuk e përfytyronte se mund të qëndronte para shokëve të tij të burgosur dhe të lexonte rreshtat e veprës.
“Ndjeva lirinë në shpirtin tim,” tha Kavalos.
Rreth 250 të burgosur kanë marrë pjesë në përgatitjet e shfaqjeve të ndryshme në burg që nga fillimi në vitin 2016 dhe më shumë se 1,800 i kanë parë shfaqjet. Një ish i dënuar u kthye për të marrë pjesë në shfaqje, pavarësisht se u lirua së fundmi për të mos zhgënjyer të burgosurit e tjerë.
Për shfaqjen e këtij viti, regjisorja Aikaterini Papageorgiou tha se ajo po kërkonte diçka me të cilën mund të identifikohej një person në izolim.
Te Antigona, drama më politike e shkruar nga tragjediani grek Sofokliu rreth vitit 441 para erës sonë, personazhi kryesor nuk i bindet xhaxhait të saj, mbretit Kreon, për të varrosur të vëllanë, ndërkohë që lufton me rregullat e shkruara dhe të pashkruara të jetës.
Edhe më skeptikët midis të burgosurve u detyruan të trajtonin çështjet e mëdha filozofike të jetës. “Edhe në jetën e vërtetë, ne bëmë një shfaqje,” tha Bougiotis.
“Jeta është gjithashtu teatër.”
Papageorgiou tha se drejtimi i grupit gjatë periudhës më të vështirë të jetës së tyre ishte një burim i madh shprese.
“Për ata prej nesh që nuk janë pjesë e bote të jetës së burgut, të shohësh këtë entuziazëm që mendjet e tyre nuk mund të burgosen edhe pse trupat e tyre janë të burgosur, është shumë frymëzuese,” tha ajo.
“Është shumë shpresëdhënëse për njerëzimin, për forcën e tij…dhe për shpengimin.”
“Ti harron se je në burg… Ti pushon së qeni në këtë mjerim, duke parë vetëm hekurat dhe muret.”
“Për ata prej nesh që nuk janë në këtë botë, të shohësh këtë entuziazëm që mendjet e tyre nuk mund të burgosen edhe pse trupat e tyre janë, është shumë frymëzuese. Është shumë shpresëdhënëse për njerëzimin, për forcën e tij… dhe për shëlbimin.”
Drejtoresha Aikaterini Papageorgiou
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani