Vendosni fjalën kyçe....

Si u linçua futbollisti i kombëtares Elseid Hysaj pas humbjes së Shqipërisë ndaj Italisë


Prologu

Dy ditë më parë, kombëtarja e Shqipërisë në futboll u përball me kampionen e Evropës në fuqi, Italinë, në ndeshjen e parë të Euro2024, që këtë vit zhvillohet në Gjermani.

Pas një fushate kualifikuese mjaft të mirë, kombëtarja e drejtuar nga trajneri brazilian Sylvinho, preu biletën për në kompeticionin më të rëndësishëm futbollistik në kontinent.

Shorti i vuri kuqezinjtë në një grup të hekurt me kampionen e Evropës në fuqi Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Kualifikimi i Shqipërisë në Euro2024, i dyti në historinë e ekipit u prit me entuziazëm të madh nga qindra mijëra tifozë shqiptarë në Shqipëri e në të gjitha vendet e Evropës ku punojnë e jetojnë emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Shfaqja e tyre me bluzat e kombëtares në rrugët e Gjermanisë, po sidomos Dortmundit ku u luajt ndeshja e parë ndaj Italisë, çuan peshë zemrat e tifozëve shqiptarë anekënd botës po rrëmbyen edhe vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale.

Ndeshja

Ndeshjen e parë kombëtarja shqiptare e luajti me Italinë, një nga ekipet më të forta në kontinent. Në sekondën e 23 të ndeshjes, një gabim i Di Marco-s në pasim, u shfryëzua nga Nedim Bajrami i cili shënoi golin më të shpejtë në historinë e evropianëve të futbollit, duke tulatur jo pak italianët.

Pas pësimit të golit, ekipi i Spaletit e zhvendosi krejt lojën në zonën e rreptësisë së Shqipërisë duke shënuar dy gola fillimisht me Bastonin në minutën e 11’ dhe më pas më Barella-n 5 minuta më vonë, në minutën e 16’.

Linçimi

Te goli i dytë i Barella-s e ka zanafillën linçimi publik ndaj mbrojtësit të kombëtares Elseid Hysaj në rrjetet sociale Facebook, Instagram e TikTok si dhe në emisionet televizive nga persona që qartësisht nuk kanë asnjë lidhje me futbollin si profesion.

Një video e golit të dytë të shënuar nga Barella nga një goditje e fortë jashtë zone, ku mbrojtësi i kombëtares shmang kokën ushqeu shpërthimin e linçimit publik.

Brenda pak kohe ajo u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale ndërsa komentet e pjesës dërrmuese të tifozëve pa dallim moshe, gjinie, zanati si dhe statuset dhe ‘analizat’ në rrjetet sociale dhe emisione televizive, nuk kishin asnjë lloj filtri duke kërkuar largimin e menjëhershëm të Hysajt nga kombëtarja, ndër të tjera.

Të mbushura më urrejtje, përçmim, përbuzje e sharje të gjithëfarllojshme për pamjen fizike, familjen, montazhe të turpshme dhe vulgare, ato mbushën hapësirën e rrjeteve sociale.

Ndjesa, shpjegimi teknik

Vetë Hysaj pas shpërthimit të linçimit publik, kërkoi ndjesë për shmangien përmes një postimi në Instagram duke shpjeguar edhe arsyet teknike të veprimit nga ana e tij.

Ndërkohë që pjesa dërrmuese shpërthyen në sharje, pati edhe një pakicë, kryesisht profesionistë futbolli mes të cilëve ish-trajnerë e trajnerë si dhe ish-lojtarë e lojtarë që shpjeguan teknikisht veprimin e Hysajt.

Siç e sqaron edhe vetë Hysaj, shmangia e tij ka të bëjë me vlerësimin e rremë të trajektores.

Një nga trajnerët e njohur të futbollit shqiptar, ndër shumë të tjerë, Faruk Sejdini, tha se veprimi i Hysajt është krejt teknik në përpjekje për të mos i ndryshuar trajektoren topit që mund të çojë në gabim portierin ose për ta lënë të dalë jashtë në rast se goditja nuk do ishte në portë.

Ndërsa e quajti të turpshme sjelljen e tifozëve ndaj tij.

Shmangie të ngjashme të lojtarëve profesionistë në përpjekje për të mos ndryshuar trajektoren e topit shihen rëndom në çdo kampionat, ashtu siç gjenden pafund gola të pësuar nga ekipet pas ndryshimit të trajektores së topit nga ana e mbrojtësve në mënyrë të vullnetshme ose të pavullnetshme.

Epilogu

Pavarësisht gjendjes fizike, pamjes së jashtme, gabimeve në ndeshje të ndryshme apo bindjeve politike, Elseid Hysaj luan me kombëtaren që prej vitit 2013, ka 84 ndeshje me kuqezinjtë, lojtari i dytë me më shumë ndeshje pas Lorik Canës dhe ka qenë pjesë e suksesit edhe në kualifikimin në Euro2016 dhe ndeshjet e fazës në grup, ku Shqipëria u rendit e treta duke lënë pas Rumaninë.

Nëse Hysaj duhet apo të luajë me kombëtaren, ky është një vendim i trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij, që paguhen për punën që kanë marrë përsipër ndërsa linçimi publik i një profesionisti, lojtari të kombëtares, më e pakta, nuk është aspak një veprim për t’u krenuar. /Hashtag.al