Këngëtari i muzikës pop Justin Timberlake u arrestua dhe u akuzua për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur pasi nuk iu bind semaforit dhe dy herë u largua nga korsia e tij në zonën e pasur bregdetare Hamptons të Nju Jorkut, thanë autoritetet të martën.
Timberlake u arrestua në Long Island në qytetin e Sag Harbor të martën në mëngjes, sipas një deklarate nga zyra e prokurorisë lokale.
43-vjeçari u akuzua në Gjykatën e Drejtësisë të fshatit Sag Harbor dhe u lirua, thuhet në deklaratë. Data e tij e ardhshme në gjykatë do jetë një paraqitje virtuale më 26 korrik, thuhet në deklaratë.
Sipas dokumenteve të gjykatës, policia pa Timberlake duke drejtuar një BMW ngjyrë gri të vitit 2025 pak pas mesnate. Dokumentet thanë se Timberlake nuk arriti të ndalonte në një semafor dhe dy herë nuk arriti të qëndronte në anën e djathtë të rrugës.
Kur u ndalua nga policia, sytë e Timberlake “ishin të përgjakur dhe të qelqtë, një erë e fortë e një pije alkoolike dilte nga fryma e tij, ai nuk ishte në gjendje të qëdronte i vëmendshëm, ishte i paqëndrueshëm në këmbë dhe u paraqit dobët në të gjitha provat në terren”, thuhet në dokumentet.
Përfaqësuesit e Timberlake nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Avokati i këngëtarit, Ed Burke, tha për US Weekly se akuza ishte një e vetme sepse ai kundërshtoi provën e frymëmarrjes.
Revista People raportoi se Timberlake u mor në paraburgim pasi la një darkë në hotelin amerikan.
Timberlake u bë i famshëm si anëtar i grupit të djemve ‘N Sync’ të viteve 1990 përpara se të fillonte një karrierë i vetëm. Hitet e tij përfshijnë “Can’t Stop the Feeling!”, “Suit & Tie” dhe “SexyBack”.
Këngëtari është në mesin e turneut të tij “Everything I Thought It Was”. Ai ka dy koncerte të planifikuara në Çikago këtë fundjavë dhe dy shfaqje në New York City javën e ardhshme.