Vendosni fjalën kyçe....

Astronomët dëshmojnë “zgjimin e beftë” të vrimës së zezë të stërmadhe në galaktikën e largët


Astronomët besojnë se mund të kenë qenë dëshmitarë të zgjimit të një vrime të zezë të stërmadhe dhe aktivizimit në një galaktikë të largët.

Ngjarja kozmike u pa për herë të parë në vitin 2019 kur një teleskop amerikan zbuloi një “shkëlqim të pazakontë” rreth 300 milionë vite dritë larg.

Të dhënat treguan se galaktika “e qetë” në yjësinë e Virgjëreshës kishte filluar të shkëlqejë në mënyrë misterioze.

Një ekip ndërkombëtar më pas gjurmoi këtë “sjellje të paparë” dhe zbuloi se galaktika po bëhej dalëngadalë më e ndritshme dhe po rrezatonte më shumë dritë, ndryshe nga çdo ngjarje tjetër tipike e parë më parë.

Ata besojnë se shkëlqimi i papritur po shkaktohet nga një vrimë e zezë e stërmadhe që zgjohet në zemër të galaktikës dhe “ushqehet” me gazin përreth.

Nëse gjetjet vërtetohen në studime të mëtejshme, do ishte hera e parë që shkencëtarët kanë vëzhguar një vrimë të zezë duke u bërë aktive.

Paula Sanchez Seez, një astronome në Observatorin Jugor Evropian (ESO) në Gjermani, tha: “Kjo sjellje është e paparë. Përfytyroni që keni vëzhguar një galaktikë të largët për vite me radhë dhe ajo gjithmonë dukej e qetë dhe joaktive. Papritur, thelbi i saj fillon të tregojë ndryshime dramatike në shkëlqim, ndryshe nga çdo ngjarje tipike që kemi parë më parë.”

Vrimat e zeza të mëdha ekzistojnë në qendër të shumicës së galaktikave dhe mund të kenë masë më shumë se 100,000 herë më të madhe se Dielli.

Graviteti është aq i fortë në vrimat e zeza sa drita nuk mund të ikë dhe ligjet e zakonshme të fizikës nuk funksionojnë.

Për studimin, studiuesit krahasuan të dhënat nga Teleskopi Shumë i Madh i Observatorit Jugor Evropian (VLT) me teleskopë të tjerë me bazë në Tokë.

Ata zbuluan se galaktika, e quajtur SDSS1335+0728, po lëshonte shumë më tepër dritë në gjatësi vale ultravjollcë, optike dhe infra të kuqe se më parë.

Lorena Hernandez Garcia, e Institutit të Astrofizikës të Valparaiso në Kili, tha: “Mundësia më e prekshme për të shpjeguar këtë dukuri është se ne po shohim se si thelbi i galaktikës po fillon të shfaqë veprimtari. Nëse kjo po ndodh, do ishte hera e parë që ne shohim aktivizimin e një vrime të zezë të madhe në kohë reale”.

Ekipi tha se gjetjet, që do publikohen në revistën Astronomy & Astrophysics, do ofrojë një pasqyrë të vlefshme se si vrimat e zeza rriten dhe zhvillohen dhe do ndihmojnë në hedhjen dritë mbi fatin e Shigjetarit A – vrima e zezë e stërmadhe në zemër të Rrugës së Qumështit.

Por studiuesit thanë se nevojiten vëzhgime të mëtejshme për të përjashtuar shpjegimet alternative të tilla si ‘baticat’, ku një yll afrohet shumë me një vrimë të zezë dhe ndahet.

Claudio Riçi, një astronom nga Universiteti Diego Portales në Kili, tha: “Këto përbindësha gjigantë zakonisht janë duke fjetur dhe nuk duken drejtpërdrejt Në rastin e SDSS1335+0728, ne ishim në gjendje të vëzhgonim zgjimin e vrimës së zezë të stërmadhe, që papritmas filloi të ndizte gazin e disponueshëm në rrethinën e saj, duke u bërë shumë e ndritshme.”