Vendosni fjalën kyçe....

Balla takim koordinues me donatorët: Krimi i organizuar s’ka nevojë për burokraci, duhet rritur shpejtësia e kundërveprimit


Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një takim koordinues me donatorët, u shpreh se duhet rritur shpejtësia e reagimit ndaj krimit të organizuar për ta shfarosur atë.

Më tej ministri Balla u shpreh se duhet bashkëpunim shumëplanësh me BE, agjencitë ligjzbatuese të SHBA dhe Britanisë, për të luftuar krimin e organizuar.

“Jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta arrijmë objektivin pa angazhimin e partnerëve me të cilët duam të përshpejtojmë realizimin e reformave. Vlerësojmë mbështetjen që na kanë ofruar duke mundësuar arritje e rezultateve. Bashkëpunim shumëplanësh me BE, agjencitë ligjzbatuese të SHBA dhe Britanisë, për të luftuar krimin e organizuar pa harruar edhe ekstremizmin e dhunshëm, menaxhimin e kufijve dhe rendin publik.

Kërcënimet e reja në këto fusha kërkojnë struktura më të mira organizative. Kërkohet rritje bashkëpunimi edhe me gjyqësorin, pa harruar investimet në inteligjencë dhe zhvillimet në teknologji.

Jam takuar me ministrin e brendshëm të Gjermanisë dhe ministrin për policinë të Zvicrës me të cilin ndamë mendimin se krimi i organizuar nuk ka nevojë përnburokraci e dokumente, lëviz shumë më shpejt, dhe nëse duam të jemi efektivë duhet të rrisim shpejtësinë e kundërveprimit tonë për ta shfarosur. Sot përballemi me sfida që duan angazhim të organizuar”, tha ai.

Gjithashtu Balla theksoi se Policia e Shtetit ka nevojë për mbështetje të gjithanshme. Sipas tij, në fokus të punës së policisë mbetet dhe beteja ndaj krimit ekonomik, si dhe lufta ndaj emigracionit të paligjshëm.

“Reformat tona kërkojnë pajisje sa më të sofistikuara, që të përmbushim operacionet tona, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Duhet të rrisim veprimin ndaj krimit. Policia e Shtetit ka nevojë për mbështetje shumëplanëshe. Akademia e Sigurisë kërkon mbështetje të veçantë. Akademia e Sigurisë garanton një forcë policore të standardeve më të mira europiane. Duhet të mbështesim edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, që të realizojnë objektivat e tyre më së miri.

Nuk ka asgjë më të dhimbshme për krimin sesa ta godasësh atë në asetet ekonomike, që janë fituar nga rrugët kriminale. Duhet të ndjekim parimin “ndiq paranë”. Dua të jem falënderues për Europol dhe agjencitë e tjera ndërkombëtare. Duhet të luftojmë fort edhe krimin kibernetik. Ajo që dua të theksoj është edhe puna jonë në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm. Kemi arritur rezultate të mira në luftën ndaj emigrimit të paligjshëm”, u shpreh Balla.