Vendosni fjalën kyçe....

Ferrari do prodhojë makinën e parë elektrike, bëhuni gati edhe për faturën “e kripur”


Makina e parë elektrike e Ferrarit do kushtojë të paktën 500,000 euro, tha një burim i njohur me këtë çështje për Reuters, ndërsa prodhuesi luksoz i makinave përgatitet të hapë një fabrikë që do prodhojë modelin dhe mund të rrisë prodhimin e grupit deri në një të tretën.

Marka italiane, e famshme për motorët e saj të zhurmshëm, ka thënë se do nisë një makinë elektrike në fund të vitit të ardhshëm dhe çmimi i planifikuar tregon besimin e saj se shoferët ultra të pasur janë gati për të, edhe pse rivalët e tregut po ulin çmimet e automjeteve elektrike mes kërkesës së lëkundur.

Çmimi, që nuk përfshin veçoritë dhe personalizimet që zakonisht shtojnë 15-20% të shumës fillestare, është shumë më lart se çmimi mesatar i shitjes prej rreth 350,000 eurosh.

Në një segment më pak ekskluziv, modeli i Porsche, Taycan, fillon me rreth 100,000 euro.

Ferrari nuk iu përgjigj një kërkese për koment në lidhje me çmimin e makinës së parë elektrike apo fabrikës së saj të re, që do përurohet në qytetin e saj të lindjes, Maranello, në veri të Italisë, të premten.

Fabrika është një lëvizje e guximshme për kompaninë, që  dorëzoi më pak se 14,000 makina vitin e kaluar, pasi përfundimisht do lejojë që kapaciteti i prodhimit të rritet në rreth 20,000, tha burimi, duke folur në kushte anonimiteti.

Sidoqoftë, Ferrari ka treguar me SUV-in e tij Purosangue, i hedhur në treg në vitin 2022, se mund të arrijë sukses duke u zgjeruar përtej makinave të tij tradicionale sportive.