Si pasojë e aktivizimit të një pajisjeje shpërthyese në Cetinje të Malit të Zi, janë vrarë dy persona dhe tre të tjerë janë plagosur, bëri të ditur policia më 20 qershor.
Petar Kalugjeroviq dhe Dragan Roganoviq janë vrarë në vendngjarje, ndërkaq viktima e tretë vdiq në spitalin në Cetinje për shkak të plagëve të marra.
Një nga tre të plagosurit, Taso Jovanoviq, 46 vjeç, u transferua në Qendrën Klinike në Podgoricë, ndërkaq Desanka Vujoviq dhe Mihailo Borozan po trajtohen në spitalin në Cetinje.
Autoritetet shëndetësore në Mal të Zi njoftuan se të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.
Shpërthimi ndodhi pas orës 09:00 të 20 qershorit në hyrje të Qendrës së Sportit, që gjendet afër një shkolle fillore dhe një stacioni të autobusëve.
“Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë, në koodinim me Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Podgoricë po ndërmarrin masa dhe veprime intensive, për të cilat publiku do të informohet“, njoftoi policia.
Një numër i madh i zyrtarëve policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe autoritetet kanë nisur hetimet për këtë shpërthim.
Për shkak të fuqisë së shpërthimit, xhamat në ndërtesën e Qendrës së Sportit janë thyer dhe një pemë është rrëzuar, raportoi RTV Cetinje.
Televizioni shtetëror i Malit të Zi la të kuptohet se shpërthimi është i lidhur me grupet kriminale të këtij vendi të përfshira në kontrabandën e narkotikëve. Sipas raportimit, “disa nga viktimat ishin të porsaliruar nga burgu”./REL