Zyra Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) ka publikuar gjetjet nga investigimi i shpenzimeve dhe menaxhimit të fondeve të IPARD-it.
Nga hetimi OLAF gjeti shkelje të rënda në Shqipëri me programin IPARD-II.
Hetimi i OLAF nisi pas akuzave serioze që përfshinin keqpërdorimin e fondeve të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit për Zhvillimin Rural (IPARD II) në Shqipëri.
Një pretendim ishte se aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet.
“Pas një sërë hapash komplekse hetimore, përfshirë kërkimet mjeko-ligjore digjitale të dokumenteve të lidhura me marrësit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve.
Këto parregullsi përfshinin:
-Aplikantëve u kërkohet t’i paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale;
-Kontratat që jepen pa konkurrim, ose me konkurs të manipuluar (me oferta false që dorëzohen);
-Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale.
Pas hetimit të saj, OLAF rekomandoi që Komisioni Evropian të konsiderojë një pjesë të financimit të Thirrjes së Parë dhe të Dytë për Aplikime IPARD II prej 33 milionë euro, si të papërshtatshme”-thuhet në raportim.
OLAF rekomandoi më tej që BE të parandalojë 112 milionë euro të financimit të ardhshëm (IPARD III) për Shqipërinë nga shpenzimet e panevojshme, derisa të vendosen masa korrigjuese për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga çdo aktivitet i paligjshëm.
OLAF shkruan se ka dërguar një kopje të gjetjeve të saj autoriteteve gjyqësore të Shqipërisë.
OLAF është institucion i Bashkimit Evropian i cili heton mashtrimin me buxhetin e BE-së, korrupsionin dhe keqpërdorimet serioze brenda institucioneve evropiane dhe zhvillon politikë kundër mashtrimit për Komisionin Evropian.