Koordinatori i qeverisë amerikane për luftën kundër korrupsionit global, Richard Nephew ka mbërritur në Tiranë. Ai është pritur nga i dërguari i SHBA në vendin tonë, David Wisner.
Në një postim të ndarë në rrjetet sociale, ambasada shkruan se vizita e Nephew riafirmon mbështetjen SHBA në luftën kundër korrupsionit dhe reformat në drejtësi.
“Sot ne mirëpresim Richard Nephew, Koordinator i Departamentit të Shtetit të SHBA për Kundër Korrupsionit Global. Nephew po viziton Shqipërinë për të riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat në drejtësi, përpjekjet kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai do të takohet me drejtues të drejtësisë dhe shoqërisë civile shqiptare, si dhe me zyrtarë publikë”, shkruan ambasada e SHBA.
Axhenda e zyrtarit të lartë të DASH nuk është bërë me dije, por pritet që ai të zhvillojë takime me përfaqësues të politikës dhe të shoqërisë civile.