Ai është ndër të mbijetuarit e fundit të familjes së tij në Gaza, një klan aq i afërt sa e dinin pa u menduar sesi gjaku dhe martesa i kishin lidhuar ata në breza dhe lagjjet e qytetit.
Më pas, degë pas dege, 173 nga të afërmit e Youssef Salem u vranë në sulmet ajrore izraelite brenda disa ditësh në dhjetor. Deri në pranverë, numri ishte rritur në 270.
Kocka dhe mish të shpërndara mbi rrënojat e shtëpive. Kaçurrelat bionde të një kushëriri të ri që shikon nëpër tulla. Trupa të panjohur të grumbulluar mbi një karrocë të tërhequr nga gomari. Vijat e qefineve të varrimit.
Këto pamje janë ato që u kanë mbetur të mbijetuarve nga qindra familje në Gaza si al-Aghas, Salems dhe Abu Najas.
Në një shkallë të paparë më parë, Izraeli po vret familje të tëra palestineze, një humbje edhe më shkatërruese se shkatërrimi fizik dhe shpërngulja masive.
Një hetim i Associated Press identifikoi të paktën 60 familje palestineze ku të paktën 25 njerëz u vranë – ndonjëherë katër breza nga e njëjta linjë gjaku – në bombardimet midis tetorit dhe dhjetorit, periudha më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese e luftës.
Gati një e katërta e këtyre familjeve humbën më shumë se 50 anëtarë të familjes në ato javë. Disa familje nuk kanë pothuajse asnjë njeri për të dokumentuar numrin, veçanërisht pasi dokumentimi dhe shkëmbimi i informacionit u bë më i vështirë.
Harddisku i Youssef Salem është i pajisur me foto të të vdekurve. Ai kaloi muaj duke mbushur një tabelë me hollësitë e tyre jetike ndërsa lajmi për vdekjen e tyre u konfirmua, për të ruajtur një lidhje të fundit në rrjetin e marrëdhënieve që ai mendonte se do lulëzonte për breza të tjerë.
“Xhaxhallarët e mi u zhdukën plotësisht. Kryefamiljarët, gratë, fëmijët dhe nipërit e tyre,” tha Salem nga shtëpia e tij në Stamboll.
Në dy dekadat e fundit, 10 anëtarë të familjes së tij u vranë në sulmet izraelite.
“Nuk kemi parë asnjëherë si kjo luftë.” tha ai.
Rishikimi i AP përfshinte të dhënat e viktimave të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës deri në mars, njoftimet e vdekjeve në internet, faqet dhe tabelat e mediave sociale të familjes dhe lagjeve, llogaritë e dëshmitarëve dhe të mbijetuarve, si dhe të dhëna viktimash nga Airëars, një mbikqyrës i konflikteve me bazë në Londër.
Familja Mughrabi: më shumë se 70 u vranë në një sulm të vetëm ajror izraelit në dhjetor. Abu Najas: mbi 50 u vranë në sulmet e tetorit, duke përfshirë të paktën dy gra shtatzëna. Klani i madh Doghmush humbi të paktën 44 anëtarë në një sulm në një xhami; AP dokumentoi mbi 100 anëtarë të familjes të vrarë në javët në vijim. Deri në pranverë, mbi 80 anëtarë të familjes Abu al-Qumssan u vranë.
“Numrat janë tronditës,” tha Hussam Abu al-Qumssan, i cili jeton në Libi dhe ka marrë përsipër dokumentimin e numrit të vdekjeve të familjes ndërsa të afërmit e tij në Gaza përpiqeshin të mbanin gjurmët.
Në luftën 51-ditore të vitit 2014, numri i familjeve që humbën tre ose më shumë anëtarë ishte më pak se 150. Në këtë, rreth 1900 familje kanë pësuar vdekje të shumëfishta deri në janar, duke përfshirë më shumë se 300 që humbën mbi 10 anëtarë në fillim vetëm muaji i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.
Ramy Abdu, kryetar i EuroMed Human Rights Monitor me bazë në Gjenevë, i cili mbkëqyr luftën në Gaza, tha se dhjetëra studiues të tij në Gaza ndaluan dokumentimin e vdekjeve familjare në mars, pasi identifikuan mbi 2,500 familje me të paktën tre vdekje.
“Vështirë se mund të vazhdojmë me numrin total të vdekjeve,” tha Abdu.
Vrasja e familjeve ndër breza është një pjesë kyçe e çështjes së gjenocidit kundër Izraelit, që tani ndodhet përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Më vete, prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare po kërkon urdhërarreste për dy krerët izraelitë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë vrasjen e qëllimshme të civilëve, si dhe për tre udhëheqës të Hamasit për krime të lidhura me sulmin e 7 tetorit.
Palestinezët do kujtojnë familje të tëra që janë zhdukur nga jeta e tyre, Abdu tha: “Është sikur një fshat apo një mëhallë e tërë të jetë fshirë”.
Pa paralajmërim
Vdekjet ndër breza kalojnë nëpër shoqërinë, historinë dhe të ardhmen palestineze. Familje të tëra janë varrosur në varre masive, në oborret e spitaleve ose nën shkallët e shtëpive ku u vranë.
Marrja e pamjeve dhe dokumentacionit të hollësishëm është e vështirë edhe për palestinezët. Energjia është e kufizuar në spitale dhe Izraeli ndërpret shpesh rrjetet e komunikimit. Pothuajse e gjithë popullsia 2.3 milionëshe e Gazës është zhvendosur, duke ndarë familjet dhe duke ndërprerë kontaktet midis pjesëve të territorit të vogël. Shtëpitë që normalisht do strehonin një bërthamë familjare, mbushen me breza të shumtë të afërmsh të zhvendosur.
Militantët e Hamasit nga Gaza sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz në ditën më vdekjeprurëse të historisë 75-vjeçare të shtetit hebre. Izraeli premtoi të shkatërronte udhëheqjen e Hamasit dhe forcat e tij luftarake të vlerësuara prej 35,000 ushtarësh si kundërpërgjigje. Brenda pesë ditëve, Forcat Ajrore të Izraelit hodhën 6000 bomba në Gaza, duke përfshirë shumë raketa të padrejtuara.
Bombardimet e pamëshirshme të Izraelit që atëherë kanë vrarë më shumë se 37,000 palestinezë deri në fillim të qershorit, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë.
Njëmbëdhjetë anëtarë të familjes al-Agha u vranë në një sulm të vetëm në një shtëpi familjare në javën e parë të luftës. Pastaj vdekja arriti në shtëpinë e Khamis al-Aghës në javën e dytë.
Në vitin 2021, Khamis al-Agha, një punonjës në një organizatë bamirëse të lidhur me Hamasin, mori një telefonatë nga një ushtar izraelit duke aluduar për lidhjet e tij me grupin militant dhe duke e paralajmëruar atë që të evakuonte shtëpinë e tij në Khan Younis për të shmangur një sulm ajror të afërt. Al-Agha e regjistroi thirrjen dhe e postoi në internet. Ai nuk u evakuua dhe askush nuk u vra.
Më 14 tetor nuk kishte asnjë paralajmërim. Sulmi ajror vrau Khamis al-Agha dhe 10 të tjerë: gruan e tij, katër fëmijët e tyre të vegjël; vëllain e tij dhe djalin e tij 9 vjeç dhe vajzën 3 vjeç; kushëririn e tij dhe djalin e saj 18-vjeçar. Vetëm gruaja e vëllait mbijetoi.
Jaser al-Agha, një kushëri i dytë i Khamis, ndihmoi mjekët të nxirrnin trupat nga mbeturinat.
“Asgjë nuk ka mbetur nga shtëpia,” tha Jaser al-Agha.
Ushtria izraelite (IDF) konfirmoi sulmet ajrore, duke thënë se kishte goditur objektiva të paspecifikuara të Hamasit pranë vendndodhjeve të identifikuara nga AP. Ai tha se objektivat ishin diku nga disa metra deri në 460 metra larg.
Ajo nuk dha hollësi mbi natyrën e objektivave, por tha se goditi një kompleks ushtarak të Hamasit në një nga sulmet. IDF-ja nuk tha nëse kishte marrë ndonjë masë për të zvogëluar viktimat civile. Në përgjithësi, Izraeli ka thënë se ka në shënjestër Hamasin dhe akuzon grupin militant për rrezikimin e civilëve duke operuar mes popullatës dhe në tunelet poshtë tyre.
Një zyrtar i lartë izraelit u tha gazetarëve në dhjetor se ushtria llogariti se dy civilë palestinezë u vranë për çdo militant të Hamasit, një raport që një zëdhënës i ushtrisë e quajti “jashtëzakonisht pozitiv”, por që ekspertët thanë se tregonte një tolerancë më të lartë për viktimat civile sesa në luftërat e mëparshme.
Izraeli vlerëson se 15,000 militantë të Hamasit janë vrarë deri në qershor, por nuk ka dhënë prova apo shpjegime. Nuk është e qartë nëse numërimi përfshin njerëz si al-Agha, i cili ka punuar në një nga qindra organizatat apo zyrtarë të lidhur me Hamasin në qeverinë që administroi jetën në Gaza për më shumë se 16 vjet.
Izraeli ka thënë se merr masa për të zbutur dëmtimin e civilëve, siç janë paralajmërimet e drejtpërdrejta për civilët në konfliktet e kaluara. Por në këtë luftë, kjo metodë është zëvendësuar pjesërisht me urdhra evakuimi për zona të tëra që jo të gjithë janë të gatshëm ose në gjendje t’u binden. Standardet kanë ndryshuar qartësisht, të nxitura nga zemërimi për sulmet e 7 tetorit dhe politika e brendshme, tha Craig Jones, një pedagog në Universitetin e Neëcastle, i cili studioi rolin e avokatëve ushtarakë të Izraelit.
Ligji i luftës lejon një “një lloj forme të nxituar të luftës” me viktima më të larta civile, ku një ushtri duhet të reagojë shpejt dhe në rrethana në ndryshim. Por “Izraeli po shkel qartë ligjin sepse po i sposton rregullat deri tani,” tha ai.
AP lokalizoi zonat dhe analizoi 10 sulme, ndër më vdekjeprurësit nga 7 tetori deri më 24 dhjetor, dhe zbuloi se ato goditën ndërtesat e banimit dhe strehimoret me familje brenda. Në asnjë rast nuk kishte një objektiv të qartë ushtarak apo paralajmërim të drejtpërdrejtë për ata që ishin brenda, dhe në një rast familja tha se kishte ngritur një flamur të bardhë në ndërtesën e tyre në një zonë luftimi.
Së bashku, sulmet vranë më shumë se 500 njerëz, duke përfshirë dy bomba që fshinë Salems dhe tre të tjera që vranë 30 anëtarë të familjes al-Agha. AP u këshillua gjithashtu me gjashtë hetues armësh, analistë dhe ekspertë.
Deri në pranverë, AP dokumentoi se rreth 100 anëtarë të familjes al-Agha u vranë në sulmet izraelite. Jaser al-Agha ka varrosur pothuajse më shumë të afërm sesa mund të numërojë, duke përfshirë tre kushërinj.
“Po prisja radhën time,” tha ai.
Kur pasditja bëhet natë
Familja e Ramzy Abu al-Qumssan jetonte në kampin e refugjatëve Jabaliya që kur familja e tij u zhvendos në vitin 1948 nga Deir Sneid, një fshat në veri të Gazës në atë që tani është Izraeli. Ashtu si shumica e palestinezëve në Gaza, ata janë zyrtarisht refugjatë dhe territori është i mbushur me kampe gjysmë të përhershme që janë zhvilluar në komunitete urbane gjatë brezave.
Kampi i refugjatëve Jabaliya, në Gazën veriore, ishte ndër më të dendurit e populluar. Në pasditen e 31 tetorit, Abu al-Qumssan dëgjoi aeroplanët mbi kokën e tij, pastaj pati një varg shpërthimesh të shpejta.
“Në pak sekonda, gjithçka u errësua”, tha Abu al-Qumssan.
“Ndihej sikur na kishin hedhur kontejnerë me eksploziv dhe hekur. Ishte një tingull shumë i çuditshëm.”
Izraeli tha se kishte në shënjestër një qendër komanduese të Hamasit në kamp. Videot, duke përfshirë një të filmuar nga Abu al-Qumssan, treguan kratere të thella dhe ndërtesa të shkatërruara aq sa mund të shihte syri.
“Unë nuk mund të dalloja rrugët nga shtëpitë,” tha ai. “Njerëzit dhe trupat u avulluan.”
Ai shkoi në shtëpinë e xhaxhait të tij, vetëm për të gjetur se struktura e dobët metalike ishte grimcuar duke u kthyer në asgjë.
Airëars identifikoi 112 civilë të vrarë në Jabaliya atë ditë, duke përfshirë 69 fëmijë dhe 22 gra. Në total, 37 anëtarë të familjes së Abu al-Qumssan u vranë në kasolle dhe dy ndërtesa aty pranë, duke përfshirë katër kushërinjtë e tij, hallën, vajzën dhe mbesën e tij.
Nga 10 sulmet e analizuara nga AP, ishte e vetmja në të cilën Izraeli emëroi një komandant të synuar. Numri i palestinezëve të pafajshëm ishte i madh.
Sulmet ajrore lanë disa kratere dhe ekspertët e armëve thanë se ato mund të ishin shkaktuar disa nga bombat më të mëdha në arsenalin e Izraelit, ndoshta raketa 900 kilogramëshe që synonin tunele, të cilat nuk para përdoren në zonat e populluara.
Dy javë më vonë, shtëpia e vetë Abu al-Qumssan, vetëm disa metra larg shpërthimit të madh, u bombardua. I vdiq gruaja, vajza 5-vjeçare, nëna, dy motrat dhe 10 të afërm të tjerë. Ai dhe tre djemtë e tij mbijetuan sepse dhoma e tyre në katin e sipërm u rrëzua në krater.
Abu al-Kumssan e thërriste vazhdimisht emrin e vajzës së tij Nour.
“Shoku im pretendoi se po përpiqej ta shpëtonte për të më qetësuar”, tha Abu al-Qumssan, i cili si gazetar ka lidhje telefonike për të dërguar pamjet jashtë Gazës.
“E dija që ajo nuk do kthehej dhe se nuk do nxirrej nga nën rrënoja.”
Në total, 55 anëtarë të familjes së tij humbën jetën në Jabaliya në dy bombardime izraelite në dy javë. Deri në pranverë, familja arriti të dokumentojë të paktën 82 të vrarë, shumica në Jabaliya.
Për familjen Okasha, vrasja e të paktën 33 anëtarëve, duke përfshirë gjyshërit, fëmijët dhe nipërit, në bombardimin e 31 tetorit “ishte një fatkeqësi e madhe. Ne nuk jemi një familje e madhe”, tha Abdeljaëad Okasha, 61 vjeç, i cili jeton jashtë Gazës.
Deri në maj, familja dokumentoi të paktën 57 anëtarë të vrarë.
Brian Castner, një hetues armësh në Amnesty International, tha se çdo hetim i krimeve të luftës në Gaza është i ndërlikuar nga ritmi i bombardimeve, qasja e kufizuar për entitetet e pavarura dhe mungesa e provave mjeko-ligjore.
Që nga tetori, Amnesty ka gjetur prova të sulmeve të drejtpërdrejta ndaj civilëve, sulmeve të paligjshme dhe pa dallim në të paktën 16 sulme izraelite që hetoi, duke vrarë 370 civilë, përfshirë 159 fëmijë dhe “familje të shkatërruara”. Sulmet përfshinin tre të fundit deri në prill.
Bombardimi i fundit i analizuar nga AP goditi kampin e refugjatëve Maghazi në Gaza qendrore më 24 dhjetor.
Mohamed Abed, një gazetar që mbërriti menjëherë pas sulmeve, tha se tre shpërthime ndodhën në më pak se një orë. I pari shkatërroi familjen Musalem. I dyti u përplas në të njëjtën rrugë dhe vrau disa anëtarë të familjes Abu Hamdah, duke përfshirë një mësues. I fundit goditi një shtëpi më larg.
Një total prej 106 personash u vranë nga të paktën tetë familje, sipas të dhënave të shkruara me dorë të spitalit që renditnin numrat nga secila familje, të marra nga AP. OKB-ja kishte numëruar më parë 86 të vdekur.
Izraeli tha se ishte duke ndjekur militantët e Hamasit dhe “gabimisht” goditi dy objektiva ngjitur. Deklarata është e para dhe e rrallë në të cilën Izraeli pranoi një gabim dhe shprehu keqardhjen për “dëmtimin e atyre që nuk përfshiheshin”. Një zyrtar ushtarak i tha Kan, transmetuesit publik izraelit, se ishte përdorur arma e gabuar.
Linja midis nevojës ushtarake dhe viktimave joproporcionale të civilëve “bazohet në gjykimin me mirëbesim të komandantit që merr vendimin”, tha Geoffery Corn, një ish-oficer i Përgjithshëm dhe drejtor i Qendrës për Ligjin dhe Politikën Ushtarake në Universitetin Teknik Teksas.
“Kjo linjë është tepër amorfe.”
Në total, të dhënat e AP përfshinin 2,700 të vrarë nga mbi 70 familje, me disa hollësi të panjohura më parë për vdekjet e tyre, si ku u vranë ose kush vdiq së bashku me ta.
“Gjithçka që ndërtojmë zhduket”
Lidhja farefisnore arrin shumë përtej bërthamës familjare në Gaza. Ndërtesat, shpesh me tre kate ose më shumë, janë të zëna nga një linjë e tërë gjaku.
Familja e gjerë është një njësi ekonomike e pavarur, dhe të afërmit paguajnë borxhet e njëri-tjetrit, shkojnë bashkë në shkolla. Shpesh, një familje i jep hua emrin e saj një blloku apo edhe një lagjeje të tërë.
Dhe kur kontestohen strukturat formale qeverisëse, familjet në Gaza zakonisht ndërhyjnë si zbatues të rendit – ose burime të dhunës nganjëherë, tha Ilana Feldman, profesoreshë antropologjie në Universitetin George Ëashington, e cila studioi historinë e Gazës.
Kur shtëpia e familjes Salem në Gazën veriore u shkatërrua në vitin 2009, Youssef dhe vëllezërit e tij u futën për ta rindërtuar atë për babain dhe xhaxhallarët e tyre. Është dëmtuar sërish në vitin 2014. Tani është një skelet, i djegur nga brenda.
“Gjithçka që ndërtojmë zhduket me çdo përshkallëzim, çdo luftë,” tha Youssef Salem.
Pas luftës së vitit 2021, ai i tha gruas së tij se ishte koha të largohej me vajzën e tyre të vogël. Ai gjeti punë si analist ligjor në Stamboll dhe iu lut anëtarëve të familjes së tij të gjerë që t’i bashkoheshin. Ai mori me vete pak nga Gaza – librat e tij, shallin e tij tradicional me kuadrate. Gruaja e tij paketoi fotot e dasmës dhe familjes dhe xhinglat e saj të parapëlqyera.
Pas 7 tetorit, ai përfitoi nga siguria e mërgimit për t’u kujdesur për të afërmit në Gaza teksa ata ishin në kërkim të strehimit dhe ushqimit. Ai i lidhi me njëri-tjetrin dhe i mbante të përditësuar me lajmet.
“Unë u largova nga Gaza, por ende i përkas,” tha Youssef Salem, i cili i tha AP historinë e tij familjare gjatë një serie intervistash telefonike.
Më 11 dhjetor, sheshi që mban mbiemrin ishte i mbushur me 150 të afërm, disa të zhvendosur atje dhe të tjerë që erdhën për varrimin e dy të afërmve të tyre, të vrarë në një sulm të mëparshëm.
Betejat ishin ndezur midis Hamasit dhe forcave izraelite për ditë rreth gjysmë kilometri larg. Pak para agimit, sulmet ajrore goditën kompleksin e Salem. Shpërthimet rrëzuan një ndërtesë, duke lënë një grumbull mbeturinash dhe shkëputën fasadat nga disa të tjera.
Të mbijetuarit mohojnë se ka ndonjë luftëtar në kompleks. Videot treguan burra që përdornin thonjtë përmes betonit të grimcuar për të hequr trupat e burrave, grave dhe fëmijëve. Një karrocë priste në krye të rrugës për të transportuar kufomat.
Sufyan Salem, një kushëri i dytë i Youssef, mbijetoi vetëm sepse ai ua kishte dhënë banesën vizitorëve dhe flinte në rrugë. Në mesin e 80 të vdekurve të familjes Salem: nëna e tij, tre vëllezërit, motra e tij e vetme dhe katër fëmijët e saj. Të paktën 27 janë zhdukur nën rrënojat që ende nuk janë pastruar.
“Ata që na lanë janë ata që morën njëfarë ngushëllimi. Të mbijetuarit kërkojnë lehtësim”, shkroi Sufyan Salem në Facebook.
Në Stamboll, Youssef Salem përditësoi tabelën.
Tre ditë më vonë, shumica e Salemëve të mbijetuar ndoqën urdhrat nga një broshurë izraelite e lëshuar nga një aeroplan për t’u nisur për në lagjen Rimal. Më shumë se 200 njerëz u grumbulluan brenda vilës së braktisur dykatëshe, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq. Ata ngritën një flamur të bardhë mbi shtëpinë.
Trupat izraelite në Rimal po krijonin baza dhe po vendosnin snajperë në çati. Një shtetrrethim ishte në fuqi për katër ditë. Tingujt e luftimeve jehonin nga një lagje ngjitur.
Muniri, xhaxhai i tij, shkrepi një foto qetësuese të burrave duke luajtur letra, një traditë familjare. Ata madje siguruan qymyr për tubat e tyre të ujit.
Më 18 dhjetor, tanket izraelite u futën brenda, duke shembur gardhin dhe duke urdhëruar familjen të largohej. Mohamed Salem, kushëriri 21-vjeçar i Youssef, dëgjoi Munirin dhe burra të tjerë të familjes, të cilët flisnin hebraisht, duke kundërshtuar të largoheshin.
Ishte hera e katërt që u urdhëruan të dilnin nga një strehë dhe ata thanë se askund nuk ishte e sigurt. Përveç kësaj, ata argumentuan se ushtria izraelite kontrollonte Rimalin.
Mohammed Salem rrëshqiti për të marrë ujë për një kushërirë tjetër, e cila ishte shtatzënë, dhe Sham, një vajzë e lindur gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor.
Pak pas mesnate, Mohamed Salem, duke qëndruar në një ndërtesë përballë vilës së tyre, numëroi katër goditje direkte nga sulmet ajrore. Vila u shemb dhe trupat u hodhën jashtë.
Me snajperë dhe ushtarë kudo, ai nuk guxoi të afrohej derisa zbardhi dita dje i dha fund shtetrrethimit izraelit dhe ai dhe një kushëri panë tanket që rrotulloheshin mbi të afërmit gjysmë të varrosur në rrënoja. U deshën ditë më shumë për të nxjerrë trupat në dekompozim të xhaxhallarëve të tij, Saedit dhe Munirit.
“Ka ende trupa në tokë. Askush nuk mund t’i arrijë ende,” tha Mohamed Salem.
Ai tha se nga shtëpia e mbushur me më shumë se 200 nga fisi Salem, vetëm 10 janë ende gjallë. Abdullahu nëntë vjeçar është i vetmi i mbijetuar i gjakut të tij – sulmet izraelite vranë babanë, nënën dhe shtatë motrat e tij. Në maj, Mohammed Salem i mbijetoi dy sulmeve në shtëpinë e tij në të cilën u kthye në Gazën veriore. Shtatë anëtarë të familjes humbën jetën.
Nga 400,000 familjet e Gazës, asnjë nuk është kursyer, tha Omar Shabaan, një studiues dhe ekonomist i pavarur nga Gaza, duke dëmtuar shoqërinë, historinë dhe të ardhmen e Gazës.
“Të gjithë janë në shënjestër; familje nga të gjitha klasat, të varfër, beduinë, fermerë, biznesmenë, njerëz të pasur që janë nacionalistë, por të palidhur me veprimin politik. Nuk ka asnjë dallim”, tha Shabaan, familja e të cilit numëron shumë të vdekur, duke përfshirë nëntë gra.
“Po bëhet e qartë se ky është një synim i strukturës sociale”.
Njerëzit e Gazës do të jenë të shqetësuar për muaj të tërë pas përfundimit të luftës me kërkimin e të zhdukurve të tyre dhe largimin e atyre nën rrënoja, tha Shabaan.
“Nëse i gjejnë trupat, do fillojnë të ndjekin dokumentet. Ata do fillojnë të kërkojnë dokumente për t’i vërtetuar ata si njerëz: çertifikatat e tyre të vdekjes dhe lindjes, letrat e tyre të diplomimit, dokumentet e tyre të tokës ose të shtëpisë,” tha ai.
Deri në qershor, përpjekja e Salemëve për të dokumentuar numrin po shpërbëhej. Yousef Salem u dëshpërua duke numëruar të vdekurit e familjes së tij. Kushëriri i tij që mori përsipër tabelat u plagos rëndë në një sulm.
“Kur familja pati një dëshmor, jetoi në pikëllim gjithë jetën. Përfytyroni tani,” – tha ai me zërin që i dridhej.
“Si mund të jemi ende të shëndoshë pas gjithë kësaj?”
Tani ai thjesht telefonon çdo ditë nënën e tij në Gaza për t’u siguruar që ajo është ende gjallë.
*Wafaa Shurafa në Deir al-Balah, Gaza, Kareem Chehayeb në Bejrut, Lee Keath në Kajro dhe Samya Kullab në Bagdad kontribuan në këtë raport.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani