Ish-presidenti amerikan, Donald Trump pohoi se qytetarët joamerikanë duhet të marrin automatikisht “Green Card” në rast të diplomimit në ndonjërin prej kolegjeve në SHBA, duke iu kundërpërgjigjur një premtimi elektoral të demokratit, gjegjësisht presidentit aktual amerikan, Joe Biden, i cili ka deklaruar se emigrantët e paligjshëm të martuar me shtetas amerikanë, duhet të fitojnë nënshtetësinë e SHBA-së.
“Ajo që dua të bëj dhe ajo që do të bëj është që ju të diplomoheni në ndonjë kolegj amerikan, mendoj se duhet të merrni automatikisht, si pjesë e diplomës suaj, një “Green Card” për të qëndruar në këtë vend”, tha Trump dhe shtoi se “kjo përfshin edhe kolegjet e nivelit të ulët”.
Trump bëri komente të ngjashme gjatë fushatës së vitit 2016, vetëm për të kufizuar migrimin legal kur ishte në detyrë, raporton nbcnews.
“A mund të na premtoni ju lutem se do të na jepni më shumë mundësi për të sjell më të mirët dhe më të ndriturit e mbarë botës në Amerikë?” pyeti një mikpritës, e cila nxiti përgjigjen e 78-vjeçarit.
Në një deklaratë të premten në mëngjes, sekretarja e shtypit e fushatës së Trumpit, Karoline Leavitt tha se propozimi i ish-presidentit do të zbatohej për “të diplomuarit më të aftë”, të cilët janë “të verifikua tërësisht”.
“Presidenti Trump ka përshkruar procesin më agresiv të verifikimit në historinë e SHBA-së, për të përjashtuar të gjithë komunistët, islamistët radikalë, mbështetësit e Hamasit dhe urrejtësit e Amerikës. Ai beson, vetëm pasi të ketë ndodhur një verifikim i tillë, ne duhet t’i mbajmë të diplomuarit më të aftë që mund të japin kontribut të rëndësishëm në Amerikë. Kjo do të zbatohej vetëm për të diplomuarit e verifikuar të kolegjeve, të cilët kurrë nuk do të ulnin pagat apo t’i diskriminonin punëtorët amerikanë”, pohoi ajo.
Trump kishte përsëritur pretendimet e pabaza se emigrantët që kalojnë kufirin jugor në SHBA vijnë nga burgjet, institucionet dhe azilet e të çmendurve. Ai gjithashtu pohoi pa prova se “ne kemi terroristë që vijnë në vendin tonë në një nivel që nuk e kemi parë kurrë më parë”.