Kërkesa e Ukrainës për tërheqjen e trupave ruse është bërë vetëm për të zgjatur pafundësisht luftën, sepse kjo është e vetmja mënyrë që qeveria e Kievit të qëndrojë në pushtet, ka thënë presidenti rus Putin.
Ai po fliste në një konferencë shtypi në Hanoi pas takimeve të tij me udhëheqjen e Vietnamit të enjten. Ndër temat e tjera, ai trajtoi luftën në Ukrainë.
“Nëse negociatat janë të lidhura me tërheqjen e trupave tona, për të cilën ëndërron regjimi i Kievit, atëherë kjo nuk do ndodhë kurrë”, u tha Putin gazetarëve.
“Për shkak se regjimi i Kievit nuk dëshiron të heqë dorë nga pushteti, nuk dëshiron të mbajë zgjedhje normale sipas Kushtetutës së Ukrainës, ata do zvarritin përgjithmonë bisedimet e armëpushimit”, shtoi presidenti rus.
“Kjo do të thotë se Kievi ka interes që trupat tona të mbeten atje, sepse ata nuk duan të mbajnë zgjedhje.”
Sa i përket përpjekjeve për të “shporrur” trupat ruse nga Kharkovi, Putin tha se urdhrat e Kievit për të arritur një fitore në fushën e betejës “me çdo kusht” do nënkuptojnë se është Ukraina ajo që do vuajë. Kharkovi, tha ai, është një operacion taktik, të cilin Ukraina po përpiqet ta portretizojë si strategjik.
Sipas presidentit rus, Ukraina duhet të njohë sovranitetin rus mbi të gjithë territorin e Republikave Popullore të Donetsk dhe Lugansk, si dhe rajonet Kherson dhe Zaporozhye, “siç përcaktohen nga kufijtë e tyre administrativë në kohën kur u bashkuan me Ukrainën në gusht 1991”.
Kievi duhet të tërheqë ushtrinë e tij nga katër rajonet dhe të informojë Moskën me shkrim se nuk ka më në plan të bashkohet me NATO-n, përpara se të fillojnë ndonjë bisedë armëpushimi, tha Putin të premten e kaluar.
Vladimir Zelensky e ka denoncuar propozimin si një “ultimatum”, duke këmbëngulur se mënyra e vetme për t’i dhënë fund konfliktit bazohet në “formulën e tij të paqes”, e cila përbën një dorëzim rus.