Rentabiliteti i investimit të aktiveve nga sektori bankar është në përmirësim gjatë këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të muajit prill kthimi mesatar nga aktivet i sektorit bankar, llogaritur përpara tatimit, u rrit në 2.15%, nga 1.69% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu, kthimi nga aktivet është në përmirësim në raport me nivelin final të raportuar në fund të vitit 2023, prej 1.99%.
Kthimi nga aktivet llogaritet si fitimi i sektorit bankar (i mesatarizuar me bazë vjetore) në raport me totalin e aktiveve të sektorit. Ai tregon vlerën që fiton sistemi bankar për çdo 100 lekë të dhënë kredi apo të investuar në instrumente të tjera financiare, kryesisht letra me vlerë të borxhit.
Ky përmirësim është i lidhur direkt me rritjen e normave të interesit, veçanërisht në valutë të huaj dhe me rritjen e fitimit të sektorit, të shprehur në vlerë absolute.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për katër muajt e parë të vitit fitimi neto i sektorit bankar arriti vlerën e 12.5 miliardë lekëve, në rritje me 39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kthimi nga aktivet është një tregues që jep idenë e eficiencës së investimeve të sektorit bankar. Në thelb, aktivet e bankës konsistojnë në forma të ndryshme të huadhënies përmes procesit të ndërmjetësimit financiar. Këto forma mund të jenë kredi për individët dhe bizneset, hua për qeverinë, përmes blerjes së bonove dhe obligacioneve, apo për institucione të tjera financiare, në formën e vendosjeve dhe mbajtjes së llogarive.
Rritja e formave të interesit, veçanërisht në euro, ka sjellë një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga interesat për sektorin bankar. Kjo rritje e normave gjithashtu ka diktuar ndryshime në politikën e investimeve. Sektori bankar ka ulur ndjeshëm aktivet e mbajtura si depozita apo vendosje në llogaritë e bankave të huaja dhe ka rritur investimet në letra me vlerë të borxhit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, investimet e sektorit bankar në letra me vlerë të emetuar nga subjekte jorezidente në fund të muajit prill ishte në rritje vjetore me 34%. E zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit, kjo rritje do të ishte rreth 43%.
Huatë për klientët dhe investimet në letra me vlerë përbëjnë së bashku rreth 80% të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Në fund të muajit prill, portofoli bruto i kredisë ishte zëri kryesor i aktiveve, për një vlerë bruto prej 804 miliardë lekësh ose sa 40.1% e totalit.
Portofoli i kredisë është rritur me 7.5% krahasuar me një vit më parë. Portofoli i kredisë paraqitet në rritje të shpejtë që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar, i mbështetur sidomos tek rimëkëmbja e ndjeshme e huasë për bizneset dhe vijimësia me ritme të qëndrueshme e kreditimit të individëve.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor