Kompania që operon në fushën e sigurisë kibernetike “Kaspersky” mohoi të premten se përbënte një kërcënim ndaj sigurisë pasi Departamenti amerikan i Tregtisë ndaloi përdorimin e programit të saj, në Shtetet e Bashkuara.
Kompania me bazë në Moskë, me drejtor ekzekutiv Eugene Kaspersky-n, një shtetas rus, u shpreh në një deklaratë se vendimi i Departamentit të Tregtisë, nuk do ta pengojë atë të shesë apo reklamojë produktet e saj, si dhe të kryejë trajnime në fushën e sigurisë kibernetike në SHBA.
Kompania tha se Uashtingtoni e kishte bazuar vendimin tek “klima gjeopolitike dhe shqetësimet teorike” në vend që të verifikonte në mënyrë të pavarur nëse përballej me ndonjë rrezik.
Qeveria amerikane thotë se lidhjet ruse të kompanisë “Kaspersky” nënkuptojnë se ajo paraqet një “rrezik të mëdh e të papranueshëm për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.
Kompania e kryen pjesën më të madhe të biznesit të saj në Rusi dhe si një shtetas rus, që jeton në atje, Eugene Kaspersky u nënshtrohet ligjeve ruse, thuhet në vendimin e Departamentit amerikan të Tregtisë, të datës 14 qershor.
Zyrtarët amerikanë thanë se e kishin marrë në konsideratë kundërshtimin e kompanisë ndaj gjetjeve fillestare të hetimeve nëse produktet, ose shërbimet e saj përbënin kërcënim dhe arritën në përfundimin se vendimi për të ndaluar programin, ishte i bazuar në fakte.
Përveç detyrimit të kompanisë për t’iu përmbajtur ligjeve dhe vendimeve ruse, programi i saj mund të shfrytëzohet për të gjetur të dhëna të ndjeshme të qytetarëve amerikanë dhe për t’i vënë ato në dispozicion të aktorëve të qeverisë ruse, bënë të ditur zyrtarët amerikanë.
“Rreziqet ndaj sigurisë kombëtare amerikane që çuan në vendimin përfundimtar për ndalimin e kompanisë, nuk rrjedhin nga fakti nëse produktet e Kaspersky-t janë efektive në identifikimin e viruseve, por, nëse ato mund të përdoren në mënyrë strategjike për t’u shkaktuar dëme Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
Kompania “Kaspersky” krenohet me një nga produktet antivirus të njohura ndërkombëtarisht, si dhe një njësi ekspertësh kibernetikë, të respektuar gjerësisht, që vazhdimisht ekspozojnë grupe të njohura hakerësh.
Në vitin 2019, agjencia e lajmeve “Associated Press” zbuloi se një operativ i fshehtë kishte shënjestruar disa ekspertë të sigurisë kibernetike në një përpjekje të dyshuar për të mbledhur informacione rreth kritikëve të zotit Kaspersky.
Kompania thotë se nuk mund të sigurojë në mënyrë të qëllimtë të dhëna të ndjeshme të amerikanëve dhe se operacionet dhe punonjësit e saj në Rusi, mund të kenë qasje vetëm tek të dhëna të përgjithshme ose statistikore, që nuk i atribuohen një personi të caktuar.
Kompania tha se nga ky vendim i qeverisë amerikane do të përfitonte krimi kibernetik, si dhe do të reduktohej gjithashtu liria e konsumatorëve, dhe organizatave për të zgjedhur mbrojtjen kibernetike që dëshirojnë.
“Ne shohim drejt të ardhmes dhe do të vazhdojmë të mbrohemi kundër veprimeve që synojnë të dëmtojnë në mënyrë të padrejtë reputacionin dhe interesat tona tregtare”, thuhej në deklaratën e kompanisë ruse.