Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret masive në Turqi, humbin jetën 5 persona 


Pesë persona kanë vdekur dhe dhjetëra janë plagosur, teksa zjarret kanë kapluar disa fshatra në juglindje të Turqisë gjatë natës, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë të Turqisë më 21 qershor.

“Pesë persona kanë vdekur dhe 44 janë plagosur, dhjetë prej tyre janë në gjendje serioze”, shkroi ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, në rrjetin X, që më herët njihej si Twitter.

Zjarret përfshin dy zona mes qyteteve të Dijarbakirit dhe Mardinit, thanë autoritetet turke.

Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shfaqën shtëllunga të mëdha tymi në qiell. Koca tha se katër ekipe të emergjencave dhe 35 autoambulanca janë dërguar në vendngjarje.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Ali Yerikaya, përmes një postimi në X tha se zjarri nisinë orët e vona të së enjtes në një zonë rreth 30 kilometra në jug të Dijarbakirit. Sipas tij, zjarri më pas u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të fuqishme, duke përfshirë në flakë pesë fshatra.

Yerikaya tha se tre banorë të Dijarbakirit dhe dy të Mardinit humbën jetën si pasojë e zjarreve.

Ndërkaq në veriperëndim të Turqisë, zjarrfikësit po punojnë që të shuajnë zjarret afër qytetit Ajvaçik në provincën Çanakala, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu. Kjo provincë javën e fundit është përballur me disa zjarre për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të fuqishme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL