Armenia ka njohur zyrtarisht një shtet palestinez, tha të premten Ministria e Jashtme, vendi i fundit që e ka bërë këtë pavarësisht kundërshtimit nga Izraeli.
Armenia mbështet një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm në luftën e Izraelit me Hamasin në Gaza dhe është në favor të një zgjidhjeje me dy shtete për luftën palestinezo-izraelite, tha një deklaratë e ministrisë.
Ministria e Jashtme e Izraelit thirri ambasadorin armen ‘për një qortim serioz’ pas njohjes nga Armenia të një shteti palestinez, tha një zëdhënës i ministrisë në një deklaratë.
Autoriteti Palestinez, i cili ushtron vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor nën pushtimin ushtarak izraelit, përshëndeti vendimin e Armenisë.
“Kjo njohje ndikon pozitivisht në ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete, që përballet me sfida sistematike dhe nxit sigurinë, paqen dhe stabilitetin për të gjitha palët e përfshira”, tha Presidenca e Autoritetit në një deklaratë.
Spanja, Irlanda dhe Norvegjia janë ndër vendet perëndimore që njohin zyrtarisht një shtet palestinez, duke bërë që Izraeli të tërheqë ambasadorët e tij nga Madridi, Dublini dhe Oslo muajin e kaluar.