Vendosni fjalën kyçe....

Do përdorim çdo mjet nëse na rrezikohet ekzistenca – Putin


Perëndimi duhet të kuptojë se shkaktimi i “një disfate strategjike” ndaj Rusisë është i pamundur për shkak të unitetit të popullit të saj, që e kupton se kjo do shënonte fundin e historisë mijëravjeçare të vendit, ka argumentuar presidenti Putin.

Duke folur në një konferencë shtypi në Hanoi pas takimeve me udhëheqjen vietnameze të enjten, Putin trajtoi çështjen e fuqive perëndimore që “rrisin temperaturën” e luftës në Ukrainë përmes përshkallëzimit.

“Me sa duket, ata presin që ne të frikësohemi në një çast të caktuar. Por në të njëjtën kohë, ata gjithashtu thonë se duan të arrijnë një disfatë strategjike të Rusisë në fushën e betejës. Çfarë do të thotë kjo për Rusinë? Për Rusinë, kjo do të thotë fundi i shtetësisë së saj. Kjo do të thotë fundi i historisë mijëravjeçare të shtetit rus. Mendoj se kjo është e kuptueshme për të gjithë”, vuri në dukje Putin.

Edhe pse Putin ka pranuar vijimësisht se çdo luftë që përfshin përdorimin e armëve bërthamore do kishte pasoja të tmerrshme për njerëzimin, ai ka pohuar se Moska do detyrohej të mbrohej duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion nëse ekzistenca e vendit do vihej në rrezik.

Duke përmendur nevojën për t’i dërguar një mesazh Perëndimit, muajin e kaluar Kremlini urdhëroi ushtrinë të kryente stërvitje për vendosjen e armëve bërthamore jostrategjike.

I pyetur të enjten nëse Rusia mund të ndryshojë doktrinën e saj bërthamore për të përfshirë një klauzolë mbi mundësinë e nisjes së një sulmi parandalues ​​bërthamor, Putin theksoi se nuk kishte nevojë për këtë.