Kryeministri Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes lidhur me një lojë mashtruese nga e cila disa qytetarë kanë humbur shuma parash.
Në një postim në X, kreu i qeverisë sqaron se bëhet fjalë për kompjutera që imitojnë numrin e telefonit.
Ai thekson se të gjithë që marrin mesazhe në emër të personave publikë, duhet të vërtetojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit.
“Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit ka dëmtuar disa persona deri më sot. Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar para drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve. Por ndërkohë që policia vazhdon punën e saj për identifikimin e të tjerëve, u sugjeroj të gjithë atyre që marrin mesazhe në emrin e personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, që të shmangin kurthin e kësaj loje kriminale.” – shkruan Rama në X.