Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i mbyll derën e PD-së, Basha e akuzon për pazar me Ramën


Sali Berisha në një intervistë online për “AlbUk” i mbylli Lulzim Bashës derën për rikthim në Partinë Demokratike kur gjykata i dha vulën Rithemelimit.

Berisha e cilësoi Bashën një nga përgjegjësit e instalimit të “narkodiktaturës nga Rama”.

Ndërsa të gjithë deputetëve të tjerë pranë Bashës, Berisha i la derën e hapur për rikthim.

Ka deputetë që po kthehen, dera është e hapur. Basha i ka mbyllur vetes çdo derë veç asaj të banesës së turpit. Ai është një nga përgjegjësit për të gjithë procesin e instalimit të narkodiktaturës nga Rama sepse i hapi rrugën të veprojë në këtë mënyrë. Deputetët e tjerë e kanë derën e hapur”, tha Berisha.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Lulzim Basha, i cili thotë se Berisha kërkon të rishpikë armiq të jashtëm e të brendshëm.

Edhe Basha në reagimin e tij akuzon Berishën se ka bërë pazar me Ramën për t’ia lënë pushtetin.

Basha thekson se dera e shtëpisë politike të Berishën nuk është dera e demokratëve por “hallexhinjve të SPAK-ut.

E kuptoj që Sali Berishës i ka mbetur vula në dorë dhe i duhet të rishpikë armiq të jashtëm e të brendshëm. Pazari me Ramën për t’i lënë atij pushtetin, është goditja më e rëndë ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Asnjë mashtrim nuk e mbulon dot këtë pazar të turpshëm.

Sot nuk ka shqiptar që nuk e di se vula e PD-së u përdor si plaçkë në pazarin e radhës mes Ramës dhe Berishës.

Berishës i duhet vula për t’i përdorur demokratët që ende i shkojnë nga pas si mburojë para drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë se Madhe, dhe në këmbim, Rama mban pushtetin për të shtyrë llogaridhënien për korrupsionin që ka mbërthyer për fyti Shqipërinë.

Prandaj dera e shtëpisë politike të Berishës nuk është dera e demokratëve, por e hallexhinjëve të SPAK-ut dhe të dëshpëruarve për një karrige.

Ajo nuk është dhe as nuk do të jetë dera ime dhe as rruga e demokratëve dhe shqiptarëve që duan ndryshim”-shkruan Basha.