Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se i kërkoi ryshfet një qytetari, arrestohet oficeri i krimeve të Komisariatit nr.4 në Tiranë


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka arrestuar Kastriot Palushin, një efektiv policie i cili dyshohet për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.

Oficeri i krimeve në Komisariatin nr. 4 në Tiranë është kapur në flagrancë pasi i kishte kërkuar një qytetari 50 mijë lekë për ta ndihmuar që të shmangte një kallëzim ndaj tij.

Qytetari ishte kallëzuar nga një grua për kanosje dhe Palushi i kishte kërkuar para që të ndërhynte në hetime dhe të shmangte përgjegjësinë penale.

Autoritetet kanë sekuestruar 50 mijë lekë të rinj, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumente të tjera që lidhen me ngjarjen.

‘Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.

Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.’, thuhet në njoftimin e AMP-së.