Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla pret homologun nga Arabia Saudite, Dr. Abdullah Al-Sheikh: Dy zgjerojmë bashkëpunimin e gjithanshëm


Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, u takua sot me Kryetarin e Parlamentit të Arabisë Saudite, Dr. Abdullah Al-Sheikh, dhe delegacionin që e shoqëron, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Gjatë takimit u bisedua mbi nxitjen e bashkëpunimit dypalësh marrëdhënieve shumë të mira politike, ekonomike e parlamentare mes dy vendeve.

Kryetarja Nikolla i shprehu kolegut saudit mirënjohjen për ndihmën financiare dhënë Shqipërisë ndër vite, për financimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe interesin e shtuar të kompanive saudite për të konsideruar investimin në Shqipëri në fushat e energjisë, turizmit, bujqësisë, agro-biznesit, minierave etj. Nikolla nënvizoi se “Dy vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin e gjithanshëm politik, ekonomik e parlamentar, do të intensifikojnë luftën kundër krimit, terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit, për mbrojtjen e paqes sigurisë.”

Kryetarja Nikolla i shprehu Kryetarit Al-Sheikh mirënjohjen për njohjen dhe mbështetjen e Kosovës nga Arabia Saudite në kërkesat për anëtarësim në UNESCO, Interpol etj. si edhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë.

Kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite, Dr. Abdullah Al-Sheikh, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen e ngrohtë dhe nënvizoi se “Arabia Saudite do të vijojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe ky bashkëpunim është shumë më tepër se politik, ekonomik e financiar, është një “përkthim”i miqësisë mes vendeve tona dhe popujve tanë”.

Kryetarja Nikolla dhe Kryetari Al-Sheikh nënvizuan se parlamentet e Shqipërisë dhe të Arabisë Saudite do të vijojnë të nxisin bashkëpunim e gjithanshëm mes dy vendeve.