Në kulmin e budallëpjes televizive ca nga vapa e ca nga futbolli, është bërë thuajse e natyrshme që vajza të reja modele apo instgramse që zakonisht bëjnë “twerk” ose ekspozohen me bikini, këtë nënkulturë ta shpërndajnë dhe në studio televizive duke këputur broçkulla mbi futbollin apo mbi çdo gjë tjetër që pyeten.
Në këtë lukuni vulgariteti duket se ka dhe përjashtime të rralla siç ishte rasti i modeles Adrola Dushi, e cila ishte e ftuar një ditë më parë në programin “S’e luan topi” në Top Channel, ku ndër të tjera ka folur edhe për fëmijërinë e saj.
Ajo tregon se që e vogël e ka ndihmuar të ëmën duke shitur rroba në Rrëshen. Modelja tregon se i vinte shumë turp për punën që bënte nga shoqëria e saj, por sot ndihet shumë krenare.
PYETJE-PËRGJIGJE:
Erjona Rusi: Di që e vogël ke punuar, ke ndihmuar mamin duke shitur veshje.
Adrola Dushi: Kam shitur rroba me mamin në Rrëshen. Më vinte shumë turp nga shoqëria ime dikur, sot që për pak bëj 31 vjeç, jam njeriu më krenar që e kam bërë atë punë sepse kjo është arsyeja pse unë di të sillem me njerëzit, të flas, të komunikoj me ta, të jem e përulur dhe mendoj që Zoti më ka llastuar me gjithë të mirat sepse unë vërtet kam mësuar të komunikoj me shumë lloje njerëzish, situatash dhe problemesh që mund të kisha pasur që në atë moshë. Kam shitur rroba me mamin, e them me shumë krenari, nuk e them për kamuflim, jam shumë krenare sepse ajo gjëja më ka mbajtur me këmbë në tokë, ia di vlerën familjes, lekun mbi të gjitha dhe vetes.
Erjona Rusi: Të paguante mami, merrje rrogë?
Adrola Dushi: 5 mijë lekë në ditë, por herë mi jepte, herë nuk mi jepte. Unë kam punuar nga mosha 8-18 vjeç, por kur fillova të punoj tamam, tamam, më paguante 5 mijë lekë në ditë dhe i mblidhja, harxhoja vetëm për byrekun në shkollë.