Në Komisionin e Medias është zhvilluar një debat mes deputetes së PD-së Ina Zhupa dhe drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza.
Deputetja i kërkoi shpjegime mbi largimet masive nga puna në RTSH, ndërsa Peza shpjegoi arsyet dhe numrin pse kanë ndodhur largimet.
Peza foli për thyerje disipline, braktisje emisioni dhe shkelje statuti. Gjithashtu ai tha se ka pasur punonjës që jetonin e punonin jashtë vendin dhe rezultonin në punë.
“21 punonjës në pension 21, të dorëhequr 89, me procedurë 44, braktisje të vendit të punës rreth 12, pra në total 166. Thyerje e disiplinës në punë, braktisja e emisionit, shkelja e statutit.
Kemi gjetur në institucion prej 20 vitesh në punë pa ardhur asnjë ditë, 18 vite pa asnjë produkt gazetarët, 8 vjet drejtues, nivelet më të larta, asnjë punë, paguheshin punonjës që jetonin jashtë e punonin jashtë.
Nëpër kafe rrinin nga 200-300 veta, në diskutim as konkurrenca, as cilësia, as plotësimi i kritereve, diskutimi nëse duhej të vinin apo jo në punë.
RTSH e gjeta në vdekje klinike, me 0.01% audiencë dhe çdo gjë ishte me drita të kuqe”, listoi Peza.
Me deputeten Ina Zhupa, u përplas edhe për pasojat financiare të shkarkimeve për të cilat Peza dha se nuk ka humbur asnjë para.
“Asnjë dëm financiar vendimet. Janë gënjeshtra, u tha që ka 46 procese të hapura, ky numër nuk është i saktë, asnjë proces nuk ka vendime të formës së prerë” – u përgjigj Peza.
“I kam thënë mos pusho njerëz nga puna, kushtojnë se do fitojnë gjyqe. Ti them unë dy emra që kanë fituar njëri 30 milionë” – tha Leka Bungo.
Në dëgjesën me deputetët për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Peza mohoi edhe dorëheqjen e përfolur disa muaj më parë nga drejtimi i RTSH.