Të ardhurat e shqiptarëve nga puna jashtë vendit arritën një rekord të ri në tremujorin e parë të këtij viti.
Të ardhurat bruto nga ky zë në Bilancin e Pagesave kishin vlerën e 137 milionë eurove, në rritje me 26% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në terma neto, duke zbritur transfertat dalëse të shtetasve të huaj nga puna në Shqipëri, vlera neto e të ardhurave nga puna në ekonominë shqiptare arritën në 127 milionë euro, 27% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Si në terma bruto, ashtu edhe në terma neto, të ardhurat nga puna shënuan vlerën më të lartë historike për tremujorin e parë të vitit.
Sipas metodologjisë së Bilancit të Pagesave, të ardhura nga puna jashtë vendit klasifikohen kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.
Në këtë kategori punonjësish, përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.
Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, shpesh të ardhurat nga puna jashtë vendit i bashkangjiten dërgesave të emigrantëve (që teknikisht klasifikohen si të ardhura dytësore) dhe përfaqësojnë si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat në ekonomi.
Për tremujorin e parë të vitit, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 242 milionë eurove, në rritje me 13% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Duke mbledhur remitancat dhe të ardhurat nga puna, kontributi i tyre total në Bilancin e Pagesave arriti në 369 milionë euro neto, në rritje me 17.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Këto të ardhura përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm për të ngushtuar deficitin e jashtëm të ekonomisë shqiptare. Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku mbuluan rreth 30% të deficitit tregtar në mallra, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ngushtimin e deficitit total të llogarisë korrente.
Në këto 30 vite, puna ka qenë faktori dominues ku po mbështeten aftësitë eksportuese të ekonomisë shqiptare. Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë, një kontribut shumë të madh jep edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave (fasoneria).
Megjithatë, ky sektor ka filluar të ndiejë efektet e rritjes së kostos së punës dhe forcimit të lekut në kursin e këmbimit. Për 3-mujorin I 2024, të ardhurat neto të fasonerisë zbritën në 190 milionë euro, në rënie me 3% krahasuar me një vit më parë./E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor