Një fraksion “militant” i politikanëve pro emigracionit po mbikëqyr “zëvendësimin” e të krishterëve të bardhë evropianë me emigrantë myslimanë, ka deklaruar kryeministri hungarez Orban.
“Në Evropë ka një shkëmbim popullsie, numri i njerëzve të bardhë, të krishterë, tradicionalë, le të themi evropianë po zvogëlohet, numri i emigrantëve që importohen dhe numri i njerëzve që i përkasin komunitetit mysliman të lindur këtu po rritet rrënjësisht.” – i tha Orban Kossuth Radio të premten e shkuar.
Politikani gjerman Manfred Weber, i cili drejton Partinë Popullore Evropiane (EPP) centriste në Parlamentin Evropian, është përgjegjës për këtë skemë të supozuar, vijoi Orban, duke shtuar se presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen është “shërbëtorja e vogël” e Weber.
EPP mbeti fraksioni më i madh në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të muajit të kaluar. Megjithatë, rënia e të Gjelbërve dhe një rritje e mbështetjes për partitë e krahut të djathtë e ka lënë EPP-në me më pak aleatë me të cilët të miratojë legjislacionin.
Disa orë pasi foli për Kossuth Radio, Orban fluturoi për në Berlin për t’u takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz përpara se Hungaria të merrte presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së muajin e ardhshëm. Kryeministri hungarez pretendoi se Gjermania ka vuajtur shumë si pasojë e emigracionit dhe “nuk duket më si dhjetë vjet më parë”.
“Kjo Gjermani nuk është më Gjermania që prindërit dhe gjyshërit tanë na e kanë mbajtur si shembull,” tha ai, duke shtuar se vendi tani është një “botë shumëngjyrëshe, e ndryshuar multikulturore” në të cilën emigrantët “nuk janë më mysafirë”.
Qëndrimi i Hungarisë ndaj emigracionit e ka vendosur vendin në kundërshtim me Brukselin vitet e fundit. Në fillim të këtij muaji, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) urdhëroi Budapestin të paguajë 200 milionë euro (216 milionë dollarë) për mospërputhjen e ligjit e BE-së për azilin dhe vendosi një gjobë prej 1 milionë euro në ditë derisa Hungaria të zbatojë plotësisht legjislacionin.
Sipas gjykatës, Budapesti ka kufizuar qasjen e migrantëve në procedurat e azilit që nga viti 2020, duke e bërë procesin e paraqitjes së kërkesave “praktikisht të pamundur”.
“Duket se emigrantët e paligjshëm janë më të rëndësishëm për burokratët e Brukselit sesa qytetarët e tyre evropianë”, u përgjigj Orban. Orban u kritikua në mediat gjermane për komentet e tij të premten, me gazetën Merkur të Mynihut që e akuzoi atë për përhapjen e “miteve konspirative” rreth emigracionit.