Vendosni fjalën kyçe....

Apeli i Gjykatës së Posaçme vendos sot për Fredi Belerin


Gjykata e Posaçme e Apelit shpall sot në orën 13:00 vendimin për Fredi Belerin. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, njëherësh i votuar si deputetet i Greqisë në Parlamentin evropian, kërkon pafajësi. Nga ana tjetër SPAK kërkon  të mbetet në fuqi dënimi me 2 vite burg.

Më 14 qershor, pas një seance që zgjati gati 4 orë Gjykata e Apelit të Posaçëm deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor.  Bashkë me Belerin në gjyq është edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi. Beleri dhe Kokaveshi kërkojnë pafajësi për akuzën për blerje votash pasi GJKKO e dënoi me 2 vite  Belerin dhe 1 vit e gjashtë muaj burg Kokaveshin. Vendimi i Kokaveshit është i pezulluar me shërbim prove për tre vjet.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Më 10 qershor Fredi Beleri, është zgjedhur eurodeputet në Greqi, ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Demokracia e Re.