Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë duhet të bëjë sot PD-ja?


Nga Indrit Vokshi

Vendimi i Apelit i datës 11 qershor 2024 i dha fund zyrëtarisht luftës civile në Partinë Demokratike. Lufta përfundoi me fitoren e qartë të partisë deri atë ditë informale të drejtuar nga Sali Berisha; sot partia është si faktike në realitet ashtu edhe ligjore e njohur “me letra”. Ajo tashmë është natyrshëm Partia Demokratike.

Partia Demokratike vazhdon të mbetet formacioni më i madh politik opozitar dhe partia më e madhe e djathtë. Ajo sot ka mbi 45 deputetë në parlament, përfaqëson mbi 500 mijë votues, ndërsa në sondazhet e deritanishme e ka projeksionin për të fituar mbi 50 deputetë. Pra deri tash nuk kemi të dhëna se kjo parti politike do të shkatërrohet apo të dhëna se ndonjë parti tjetër në krahun e djathtë do të arrijë tia marrë elektoratin, njerëzit, votuesit.

Ky është realiteti politik dhe realiteti politik mundet të interpretohet në të gjitha format mirëpo nuk mundet të mohohet në asnjëlloj forme. Kësisoji demokratëve shqiptarë nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të operojnë dhe të veprojnë mbi ketë realitet.

Nëse nuk duam ta pranojmë ketë realitet, ne kemi mundësi të gjejmë njëqind argumente për të mos e pranuar, mirëpo ne po flasim si njerëz të cilët nuk nisen nga premisa ku vendimin për të mos e njohur realitetin e kanë marrë paraprakisht dhe, rrugës në vazhdim vetëm grumbullojnë argumente për të përligjur vendimin që tashmë e kanë marrë. Ne po flasim nga pozicioni i njerëzve që e pranojnë realitetin dhe përpiqen të ofrojnë zgjidhje duke e llogaritur realitetin.

Sali Berisha

Sali Berishës i kemi kërkuar të largohet nga politika që nongrata amerikane e tij të mos bëhet barrë e tia vështirësojë jetesën Partisë Demokratike. Ska diskutim që nëse lideri është i dizenjuar nongrata në ketë rend politik ndërveprues ku amerikanët janë shumë të fuqishëm në Ballkan, jeta e një partie bëhet më e vështirë, ketë e di edhe vetë Sali Berisha pasi është politikan i kategorisë së parë.

Mirëpo në kuadër të njohjes së realitetit ne duhet të pyesim: Kush tjetër do të mundej tia bënte jetën më të lehtë PD-së, pra kush mundej që edhe të ruante popullaritet brenda Shqipërisë në popull por, njëkohësisht edhe të ruante mardhënie të mira me amerikanët? Këto 3 vjet askush nuk arriti t’i kombinojë këto dy kritere, edhe të ruante partinë të madhe në Shqipëri por edhe të ruante mardhëniet me amerikanët. Kushdo që do të kishte arritur t’i kombinonte sadopak këto kushte do ta kishte mposhtur Sali Berishën.

Sali Berishës i kemi kërkuar të largohet nga politika sepse nuk është elektoral e nuk e votojnë shqiptarët. Dhe kjo është e vërtetë pasi në të gjitha kriteret e konkurimit, politikanët e larguar me votë gati masive siç ishte vota e 23 qershorit 2013 e sidomos politikanët me karrierë 33 vjeçare si Sali Berisha, kanë më pak mundësi për të qenë konkurues elektoralisht. Mirëpo përsëri pyesim: Kush ishte brenda Partisë Demokratike më konkurues se Sali Berisha e që merrte vota më shumë se Sali Berisha? Rezultoi që askush.

Nuk ka politikë pa realitet dhe pa disa principe të pazëvëndësueshme të politikës dhe të pushtetit, duam apo nuk duam ne. Sepse siç lufta quhet vazhdim i politikës veçse me mjete të tjera edhe politika është vazhdim i luftës, veçse me mjete të tjera. Kësisoji të kërkosh të largohet dikush pa qenë dikush tjetër i cili ka vullnet për luftë, i cili di të luftojë dhe mundet të fitojë, ketë nuk e lejojnë “ligjet e fizikës politike” pasi vakumi nuk ekziston, ai duhet mbushur me diçka.

Politika pa realitet e pa këto principe, mbetet fantazi, trill apo listë dëshirash. Fanta-politika e cila liston listën e dëshirave mbi fantazi si fjalavjen fantazia se amerikanët do të hidheshin me parashuta dhe do të ndihmonin një politikan apo në një mënyrë mesianike ata do të ndryshonin mendimin e popullit shqiptar, quhet komedi dhe asgjë më shumë.

Politika është luftë dhe angazhim. Në politikë mesianizmi magjik nuk ekziston, ka vetëm negocime të pjesshme e të herëpashershme të “Paktit të Republikës”. E negocimet e paktit të republikës bëhen prej palëve ndërluftuese; ska ndodhur ndonjëherë në histori që pala e cila nuk merr pjesë dhe ska rëndësi në luftën politike të mundet të ulet e të negociojë pakte.

Sot Partia Demokratike ka vetëm një mundësi: Zgjedhje. Primaret e shpallura, diku funksionuan, diku vullneti u trukua nga selia qëndrore në Tiranë. Janë primare me legjitimitet të cunguar. Për më tepër politikisht primaret dështuan sepse prodhuam vetëm 6 kandidatë fitues në 61 bashki.

Sot PD duhet të kuptojë diçka: primaret shkaktojnë përçarje kur trukohet dhe manipulohet vota, mirëpo shkaktojnë bashkim e kohezion kur vota e procesi as manipulohen, as trukohen, as pilotohen me orientim nga lart. Kur ndodh trukimi, secili kandidat ka të drejtë të mërzitet, të mos marrë pjesë në fushatë madje edhe të rebelohet.

Prandaj si fillim PD ka nevojë për një listë anëtarësie reale pa anëtarë fiktivë dhe pa të drejtën për të votuar “simpatizantët” të cilët në shumë degë rezultuan se ishin njerëz pa lidhe me opozitën e diku-diku edhe socialistë të çuar në votime nga kandidatët e primareve. Kjo e delegjitimoi votimin dhe produktin politik.

Për ta legjitimuar votimin në primare PD duhet të thërrasë si vëzhgues njerëz nga fondacionet si IRI, NDI, OSBE dhe të gjitha organizmat e këtij lloji të cilët të mbikëqyrin zgjedhjet në parti. Ne e dimë “sekretin” si manipulohen proceset. E nëse nuk arrihet të ndërtohet një proces real, serioz, pa asnjë truk, PD vetëm do të degradojë aq thellë sa nuk është imagjinuar ndonjëherë.

PD sot ka nevojë të futet brenda “Qytetërimit Politik”. Nëse nuk aplikon rregullat që qytetërimi euro-amerikan zbaton për veten e tij, PD nuk mundet të jetë pjesë e një qytetërimi. Është njëlloj si tek një tavolinë ku janë ulur zotërinj me kravata të shkojë të ulet dikush me xhup meshini i cili nxjerr kallashin nga brenda xhupit dhe e lë mbi tavolinë. Ajo tavolinë nuk e pranon.

Modeli politik të fut në qytetërim dhe të legjitimon politikisht. Po të thërrasim historinë në ndihmë duhet të kujtojmë se knjazi pagan Mjutimir i kërkoi perandorit romak Basili II t’i dërgonte emisarë për tia ungjillizuar principatën në mënyrë që principata të bëhej pjesë e qytetërimit romak të krishterë. A do të mundet PD të ngrihet në ketë nivel mendimi dhe gjykimi apo do të preferojë paganët të cilët dublojnë udhëheqësin?

Sa për Sali Berishën si person, tashmë është e kotë t’i kërkohet të tërhiqet nëse ai vetë nuk vendos të tërhiqet. Megjithatë duhet kujtuar diçka: Pjetri i Madh u rrethua në betejën e Potlavas në Ukrainë nga Baltaxhi pasha i Sulltanit Osman. Pjetri kishte vendosur me kokëfortësi të madhe të mos tërhiqej sepse e quante dhunim të dinjitetit rus. Gjeneralët e kuptonin se mosdorëzimi privizor do të thoshte asgjësim të ushtrisë dhe asgjësim të Rusisë. Ata shkuan tek ajo gruaja e cila më vonë u bë Katerina e Madhe dhe iu lutën ta bindte Pjetrin të nënshkruante marrëveshje me osmanët. E bindën. Pjetri nënshkroi, u tërhoq, shpëtoi veten, shpëtoi Rusinë dhe garantoi që Rusia të kishte vazhdimsi e trashëgimi.

A do të mundet Sali Berisha të manovrojë si Pjetri i Madh? Nëse do të preferonte të mbetej vërtet historik, po. Sot ska më dyshime për të, ai rezultoi se është kockë e fortë politike e njerëzore, madje vërtetoi edhe një shprehje veriore e cila thotë: “Kur ni Berishë bjen n’lum, lypeni nalt, jo poshtë”.. pasi shkon kundër rrjedhës. Mirëpo edhe për “fatin personal” të vetë Berishës, meqenëse ka akuza se ai luftën e po bën vetëm për të shpëtuar veten, “ungjillizimi” i partisë me “fenë euro-amerikane” do të ishte lëvizje e zgjuar dhe me shumë interes.

Në ketë mes ka vetëm një problem serioz: Ska trashëgimtar politik dhe për të mundësuar një trashëgimtar nevojiten përsëri ato primare të rregullta e pa trukime si mënyra e vetme për të operuar brenda qytetërimit politik. Përndryshe fundi i një partie të madhe do të jetë krejt i palavdishëm.