Bashkimi Evropian filloi bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën të martën, një dekadë pasi trupat ruse pushtuan Gadishullin e Krimesë për të penguar afrimin e vendit me Perëndimin, pjesë e një zinxhiri ngjarjesh që i çuan të dy fqinjët në luftë.
Negociatat e pranimit të Ukrainës nisën në një konferencë ndërqeveritare në Luksemburg. Moldavia do të fillojë gjithashtu bisedimet e saj të anëtarësimit më vonë të martën. Ndërsa këto ngjarje përbëjnë një moment historik të rëndësishëm në rrugët e tyre evropiane, bisedimet mund të zgjasin vite për t’u përfunduar.
Në fjalimin e tij përmes video-lidhjes, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal e quajti këtë një “ditë historike” që shënon “një kapitull të ri” në lidhjet e vendit të tij me bllokun.
Ministrja e Jashtme belge Hadja Lahbib, vendi i së cilës mban aktualisht presidencën e rradhës të BE-së, deklaroi se “ky është një moment historik për të gjithë ne dhe shënon një pikë kthese në marrëdhëniet tona”.
Lahbib theksoi se BE dënon “luftën e pajustifikuar dhe të paprovokuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përshëndet qëndrueshmërinë e popullit ukrainas”. Ajo shtoi se blloku do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftë “për aq kohë sa të duhet dhe aq intensivisht sa të jetë e nevojshme, shkruan AP.